Kristo Papa me pranga në duar, ish- deputet i Agimit të Artë, i përbetuar kundër shqiptarëve

Kristo Papa me pranga në duar, ish- deputet i Agimit të Artë, i përbetuar kundër shqiptarëve

July 1, 2021 0

Christos Pappas (Kristo Papa), ish-deputet dhe drejtues i partisë “Agimi i Artë” në Greqi është arrestuar në një apartament në lagjen “Zografu” të Athinës. 

Ai kërkohej nga policia greke që prej tetorit të 2020 pasi akuzohej se ishte pjesëmarrës në një organizatë kriminale. Papa u dënua me 13 vite burg për disa vepra penale bashkë me dhjetëra anëtarë të tjerë të ”Agimit të Artë”, një lëvizje e cila nisi pas krizës greke, u formësua si parti politike me një numër të konsideruar përfaqësuesish në parlament e shtrirje në Greqi, por përfundoi si organizatë terroriste për shkak të dhunës, vrasjeve, anëtarëve të lidhur me drogën e krimin dhe përhapjes së ideologjisë së neonazizmit. 

Pas vendimit të 7 tetorit që gjykonte “Agimin e Artë” një organizatë kriminale, policia kishte vënë nën mbikëqyrje udhëheqjen e partisë. Por Pappas nuk mund të gjurmohej. 

Me arrestimin e tij mbyllet dhe cikli i “Agimit të Artë”, pasi të gjitnë drejtuesit ndodhen pas hekurave. Mediat greke bëjnë me dije se atë e strehonte një grua 50-vjeçe me kombësi ukrainase, e cila kishte edhe shtetësinë greke. 

Papa është transferuar dhe ndodhet në qelitë e policisë se përgjithshme në GADA. Pappas njihet si një ndër armiqtë e mëdhenj të shqiptarëve duke bërë deklarata të forta kundër Shqipërisë në mediat greke, por edhe shqiptare.