Sherri mes çiftit të huaj në Tiranë, italiani masakron zvicerianen, përfundon në spital
July 16, 2021Një sherr mes një italiani dhe zviceraneje ndodhi në tetor të vitit të kaluar në Tiranë.
Sipas dosjes hetimore, Roberto Criscuolo, banues në Napoli Itali shkaktoi plagë të rënda ndaj ish bashkëjetueses së tij, Jennifer Christine Andree, shtetase zvicerane por banuese në Itali.
Criscuolo akuzohet për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” pasi i ka shkaktuar plagë të rënda nëpërmjet dhunës. I pandehuri dhe viktima kanë pranuar faktin se kishin bashkëjetuar dhe se bashkëjetesa me vullnetin e tyre kishte përfunduar rreth dy muaj para ditës së ngjarjes.
“Roberto Criscuolo e ka goditur me sende rrethanore, shishe, gota, i ka shkaktuar dëmtime trupore viktimës. Nga ekzaminimi mjeko-ligjor rezulton se ka pasur shembje të indeve të kokës dhe të trupit, e shoqëruar me plagë në kokë, në trup dhe gjymtyrë, thyerje të parakrahut të djathtë, krisje të kockës së kokës në pjesën e pasme të djathtë.
Në datën 21.10.2020, rreth orës 22:49, policia gjyqësore pasi mori njoftim se në një banesë në pallatin “Sarael”, kati i shtatë në rrugën “Marko Bocari” kishte konflikt mes dy shtetasve. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se shtetasja zvicerane kishte shenja të dukshme dhune fizike. Në dyshemenë e banesës u gjetën mbetje xhamash të thyer, si dhe njolla të kuqe si ato të gjakut, ndërsa në vende të tjera të banesës si tualeti kishte peshqira me njolla të kuqe.
Edhe kartpecetat me njolla gjaku u ekzaminuan dhe rezultuan se ishin të viktimës. Ndërsa viktima pretendon se i pandehuri me veprimet e tij ka tentuar ta vrasë”, thuhet në dosje.
Prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me 6 vjet burg, ndërsa avokatja mbrojtëse ka kërkuar dënimin me minimumin e dënimit të parashikuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje
Para gjykatës, i pandehuri tha: “Jam dakord sa tha avokatja. Jam i emocionuar. Kërkoj mëshirë.” I pandehuri ka kërkuar ndjesë për veprën e kryer ndërsa avokatja mbrojtëse theksoi se nuk ka qenë i dënuar më parë ndërsa veprimet i kreu nën efektin e alkoolit.