A bashkëpunoi 18-vjeçarja në vrasjen e Martin Çeços? Gjykata e Korçës lë në burg Martina Pajollarin

A bashkëpunoi 18-vjeçarja në vrasjen e Martin Çeços? Gjykata e Korçës lë në burg Martina Pajollarin

October 17, 2022 0

Kjo është Martina Pajollari, e njohur ndryshe si Tina, e cila akuzohet si bashkëpunëtore në vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço. 18-vjeçarja ka dalë të hënën para gjykatës pasi u arrestua me datën 15 tetor, nën akuzën e vrasjes së kryer në bashkëpunim. Gjykata e Korçës vendosi ndaj saj masën e sigurisë “arrest në burg”. E reja ka deklaruar para togave të zeza se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.

Madje ka shkuar më tej kur tha se gjithçka ka thënë para grupit të hetimit e ka bërë nën presionin e Policisë. Dyshimet e grupit hetimor janë se ka qenë pikërisht 18-vjeçarja ka qenë arsyeja e vrasjes së Çeços.

Martina Pajollari mësohet se kishte një lidhje me Çeçon dhe paralelisht një tjetër lidhje me Valter Mollajn, i dyshuari kryesor për vrasjen.

Kur 18-vjeçarja ndodhej me Mollajn mësohet se ajo i thoshte atij se Martini e detyronte që të qëndronin së bashku, gjë e cila sipas burimeve nuk rezulton te jetë e vërtetë.

Në këto kushte, Valter Mollaj së bashku me Edlir Mollaj dhe Bleti Angjon kanë organizuar vrasjen e Marin Çeços. Policia ka arrestuar këta tre të fundit, ndërsa në një deklaratë për media të hënën avokati i vëllezërve Mollaj tha se dëshmitë e 18-vjeçares janë kontradiktore.

“Dëshmi, të cilat më kanë krijuar bindjen se vajza është terësisht në një pistë të gabuar, por më kanë krijuar dhe bindjen se vajza di për ngjarjen. A thotë të vërtetën apo fsheh një të vërtetë tjetër, kjo është çështje që i takon hetimit.”

Nga ana tjetër edhe nëna e 18-vjeçares pretendon se vajza e saj, por edhe 3 të arrestuarit e tjerë janë të pafajshëm, madje thotë se Martina ka dy javë që është martuar.

“Të nxjerrin çupën dhe ta shpallin të pafajshme, kot na kanë rënë në qafë. Janë të pafajshëm, është e martuar e kam dhëndrin këtu. Dy javë ka çupa që është martuar.”

Trupi i pajetë i 26-vjeçarit Martin Çeço, u gjet në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit me 18 qershor.

Autorët pasi e mbytën me litar tentuan të inskenojnë një skenë vetëvrasjeje, duke i lënë shapkat e tij jashtë rezervuarit ku hodhën trupin.

Krimi u zbulua nga një shenjë në fytin e të riut.

revista.one/