A do të takohet me Gjestin jashtë shtëpisë së BBV4? Reagimi i gjatë i Egli Takos: Ndihem e trishtuar…
March 13, 2025Ish-banorja e “Big Brother VIP 4”, Egli Tako, ka bërë sot një reagim të gjatë në rrjetet sociale. Përmes një postimi në “Instastory”, ajo falenderon të gjithë ata që kanë pyetur dhe janë shqetësuar për gjendjen e saj.
Egli shprehet se ndihet e trishtuar dhe e ngarkuar emocionalisht, por nuk ndodhet në asnjë spital psikiatrik apo asgjë e ngjashme me këtë të fundit.
“Kjo çfarë po ndaj me ju sot, është një ndjesi nga shpirti e fjalë që vazhdimisht i kam shprehur edhe brenda shtëpisë, por ndoshta duke mos i bërtitur fort, nuk kanë mundur të dëgjohen mjaftueshëm”,shkruan Tako në postimin e saj.


Ish-banorja tregon se pranë saj ka njerëz që po bëjnë çdo gjë që ajo të marrë veten.
Ajo ka shprehur gjithashtu këndvështrimin e saj rreth marrëdhënies që nisi të krijonte me Gjestin, duke dhënë një shpjegim rreth sjelljes dhe ndjenjave të saj.
“Puthje, ledhatime, përqafime, prekje të ëmbla e çdo lloj kontakti qoftë edhe nëpërmjet syve, siç një njeri i përfshirë në ndjenja bën, e që kanë një peshë të madhe përballë dikujt që ndjen për ty… të japin shpresë!
Nuk mendoj se ka vlerë të flas dhe për sekuancat ku sa herë unë distancohesha e mbaja qëndrim, rendte pas meje duke më thënë se s’qëndronte dot larg meje, duke ma bërë të pamundur t’i qëndroja gjatë stoike, pasi zemra, amplifikimi e ndjenjat më bënin të thyhesha para tij e ta përqafoja ,duke e justifikuar me faktin se shumë veprime i bënte për të mbajtir aktive lojën e tij (dhe këtë sado që lëndon, e mirëkuptoj)”, shkruan Egli.
“Vazhdoj të kem ndjenja, nuk mundem dot ti fik me buton, por të qenurit në distancë më bën të kem më të ftohtë realitetin dhe të jem më pak e ndikuar emocionalisht nga prezenca 24/7 që deri në momentin e daljes, ishte e pamundur ta shmangia. Më ndikonte shumë emocionalisht. Malli është më i menaxhueshëm për mua, se sa prezenca”, shkruan ish-banorja.
Ajo shton se nuk mendon se ka ndonjë arsye që ta takojë Gjestin pasi të dalë nga shtëpia, pasi “ai ka zgjedhur të deklarohet se asnjëherë s’do mundeshim të kishim një relacion romantik”. Sipas saj, Gjesti e di të vërtetën e kësaj historie.
Gjithashtu ajo e falenderon Gjestin për çdo moment që kanë kaluar bashkë, pasi dëshiron që të mbajë mend gjërat e bukura. Ajo shton se ai meriton që të fitojë këtë edicion të “Big Brother VIP 4”.
“Nëse dinamika do të jetë e tillë, patjetër që vazhdoj të jem koherente në deklaratën time se ai meriton të fitojë këtë edicion, si lojtari më i larmishëm dhe me qëllim të qartë brenda asaj shtëpie. Por edhe si njeriu që pati aftësinë të më fitojë zemrën dhe besimin dhe më dha emocion, puthje, të qeshura e të qara. Më bëri të harroja që isha pjesë e një loje dhe shtëpie ku po përshtatesha me vështirësi, e ta doja atë vend”, shkruan Egli Tako.
Artistja e ka mbyllur mesazhin e saj për ndjekësit duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që i kanë qëndruar afër dhe e kanë mbështetur.
revista.one/