Amarildo Ruçi ekspozon në Luvër 5 pikturat e bëra me duar

Amarildo Ruçi ekspozon në Luvër 5 pikturat e bëra me duar

October 8, 2022 0

“Unë e kam provuar dhe më parë Europën, ka  ekspozuar në Milano, Berlin, por ky është një moment i magjishëm në jetën e një artisti, ekspozimi në majën e piramidës artistike, në Luvër”, deklaron piktori Amarildo Ruçi në një intervistë për Report TV përpara nisjes për në Francë.

Janë përgatitjet e fundit për udhëtimin drejt muzeut më të madh në botë që strehon koleksionet më mbresëlënëse të artit në histori, në Luvër!

“Që në momentin që kam marrë ftesën, këto 3 muaj kanë qenë plot adrenalinë, ka qenë një ndjesi tjetër”, thotë Amarildo. Kjo është historia e Amarildo Ruçit që ëndrra iu bë realitet.

“Ky është Xhinxher, na shoqëron kur dalim për kafen e mëngjesit. Është dhe pjesë e pikturave që do të shkojnë në Luvër. Ndodh shpesh që jam në lëvizje me aktivitete, ekspozita, jashtë vendit. Kur kthehem, Xhinxher është tek aeroporti, duke parë oraret e fluturimeve”, tregon Amarildo për qenin e tij.

“Nuk jam shumë njeri i mëngjesit, më pëlqen të zgjohem pa zilen e telefonit. Tirana më pëlqen, por nuk jam artist i natyrës. Arti im është më shumë tek mendimi dhe shpirti. Besoj, pjesa më e madhe e frymëzimit vjen nga njerëzit që më rrethojnë dhe kanë ndikim në gjendjen time emocionale, shpirtërore, ose ngjarjet që mund të ndodhin rreth meje”, thotë mes të tjerash.

Amarildo ka nisur të pikturojë rreth moshës 7 vjeçare. Do të merrte pjesë në shumë konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare ku ka qenë fitues i shumë çmimeve deri në klasë të tetë ose të nëntë.

Befas u zhduk gjithçka. Për ofro 3-4 vite me radhë ai iu largua pasionit të tij duke përfunduar edhe studimet për Administrim Biznesi.

Deri sa një ditë, ëndrra e fjetur iu shfaq krejt papritur dhe ai rinisi të pikturojë, por këtë herë… me duar.

Në Carrousel Du Lovre u përfaqësuan rreth 100 artistë nga e gjithë bota, me teknika, mediume dhe vepra të ndryshme, nën koncepte të artit kontemporan. Midis tyre edhe artisti shqiptar Amarildo Ruçi.

Përveç ekspozimit të 5 veprave të tij në Focus Art Fair, Amarildo përjetoi një emocion të veçantë, ai u përzgjodh ndër 6 artistët që performuan në sy të vizitorëve, secili sipas zhanrit të tij.

Destiny u quajt vepra të cilën Amarildo e realizoi për rreth 60 minuta dhe spikati që në momentin e parë kur pa penela, aty ngjitur me murin e Charlesit të V, vetëm me duart e tij dhe ngjyrat mbi një sfond të bardhë, arriti të realizojë imazhe, karaktere dhe atmosferë pozitive.