Arrestohet opinionisti Fatmir Sheholli, për spiunazh në favor të Serbisë

Arrestohet opinionisti Fatmir Sheholli, për spiunazh në favor të Serbisë

October 9, 2025 0

Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë, ka arrestuar sot më 09.10.2025, Fatmir Shehollin nën dyshimet e bazuara për përfshirje në veprimtari spiunazhi.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjete sociale, më 09.10.2025.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh.Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.” – ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se “individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë kanë bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.

Sveçla ka theksuar përkushtimin institucional për të mbrojtur vendin nga çdo tentim që cenon sigurinë e tij. “Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar,” ka shkruar ai.

“Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale,”- ka shtuar Sveçla.

Më 07.10.2025, KALLXO.com ka publikuar një hulumtim që flet për dyshime se rreth 2 milionë euro nga fondi special i AKI-së ishin keqpërdorur.

Sipas dosjes të cilën kryeinspektori i AKI-së Kujtim Shala e kishte dërguar në Prokurorinë Speciale, thuhej se për rreth 2 milionë euro të shpenzuara nga fondi special që ishte menaxhuar nga ish-drejtorët Driton Gashi, Shpend Maxhuni dhe Kreshnik Gashi në perudhen 2017-2022, nuk kishte evidencë se ishte arritur ndonjë informacion i dobishëm për inteligjencën kosovare.

Në dosje thuhej se Fatmir Sheholli kishte pranuar 640 mijë euro nga ky fond special.

revista.one/