Arrestohet pas 10 vitesh në Itali Ambera Saliji, vajza që nxori në pritë 17-vjeçarin Ismail Luli

Arrestohet pas 10 vitesh në Itali Ambera Saliji, vajza që nxori në pritë 17-vjeçarin Ismail Luli

November 6, 2025 0

Dhjetë vite pas vrasjes së 17-vjeçarit shqiptar Ismail Luli në Itali, është arrestuar Ambera Saliji, shqiptarja nga Maqedonia e Veriut e dënuar me pesë vjet e tre muaj burg për bashkëpunim në krim.

Arrestimi u krye nga Karabinierët, pas një urdhri të lëshuar nga Prokuroria e Urbinos, ndërsa ajo dyshohet se po përgatitej të largohej drejt Maqedonisë së Veriut.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në korrik të vitit 2015 në Sant’Angelo in Vado, në provincën e Pesaro Urbinos. Hetimet e autoriteteve italiane zbuluan se Saliji kishte joshur Lulin drejt një takimi, duke e çuar në një pritë të organizuar nga dy shqiptarë të tjerë, Igli Meta dhe Marijo Mema.

Të dy këta u arrestuan menjëherë pas ngjarjes dhe u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen brutale të të miturit.

Sipas dosjes hetimore, Ambera ishte në një marrëdhënie me njërin prej autorëve dhe kishte vepruar në dijeni të qëllimeve të tyre hakmarrëse. Trupi i 17-vjeçarit u gjet i lidhur me shirit ngjitës dhe me plagë të shumta me thikë, që i kishin shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Autoritetet italiane konfirmuan se pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, Saliji u lokalizua dhe u arrestua në një zonë të Italisë qendrore. Ajo pritet të vuajë dënimin e mbetur në një institucion penitenciar në Itali.

revista.one/