Ceremonia e Çmimit Kadare/ Nurie Emrullai, fituese për vitin 2023
April 3, 2023Çmimi letrar Kadare për vitin 2023 u fitua nga poetja dhe shkrimtarja e re Nurie Emrullai.
Ajo është e dyta grua fituese e çmimit prestigjioz pas Vera Bekteshit, me romanin “Duhet të jetë Dashuri”.
Përveç shumës simbolike prej 10 mijë eurosh, UET PRESS do të mundësojë edhe botimin dhe promovimin e veprës.
Përpara marrjes së trofeut autorja e re pati mundësinë të takonte edhe shkrimtarin Ismail Kadare.
Shkrimtarja Natasha Lako, kryetare e jurisë për këtë vit u shpreh se Nuria fitoi ndër emra të mëdhenj të botës letrare
“Si vepër e parë në prozë, duke konkurruar edhe me emra të tjerë të rëndësishëm të botës letrare, ky çmim tregon edhe suksesin e parë por jo të befasishëm të kësaj autoreje. Dhe ky sukses duket se është para përgatitur nga një pritje e ngrohtë që i ka bërë lexuesi tre vëllimeve të saj poetike”, tha Natasha Lako.
Shkrimtarja e re, në fjalën e mbajtur në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, përballë një publiku emrash të shquar të letërsisë shqipe si Vera Bekteshi, Preç Zogaj e Rudolf Marku, autorë plejadë të shtëpisë botuese UET PRESS, tha se imazhi i fëmijës gjashtëvjeçar që magjepsej pa e ditur as vetë nga letërsia, e shoqëron ende.
Çmimi Letrar Kadare, i themeluar në vitin 2014 dhe që gjatë viteve ka nderuar autorë si Rudolf Marku, Musa Ramadani, Vera Bekteshi, Virgjil Muçi, Gani Mehmetaj, Shkëlqim Çela e Loer Kume, synon ta zgjerojë ndikimin ndërsa i afrohet mbylljes së dekadës së parë.
Themeluesit e tij hedhin idenë që të përfshijë të gjithë rajonin, ndonëse përfaqësimi dhe fituesit i kanë kaluar kufijtë e vendit, me dy fitues nga Kosova dhe së fundi, autoren nga Maqedonia e Veriut, duke e parë bashkimin dhe integrimin më të afërt përmes gjuhës dhe letërsisë shqipe.