Çfarë bën në dhomën e zhveshjes para shfaqjes, Ermonela Jaho në një film të Jan Schmidt-Garre

Çfarë bën në dhomën e zhveshjes para shfaqjes, Ermonela Jaho në një film të Jan Schmidt-Garre

August 12, 2021 0

Ylli shqiptar me famë ndërkombëtare sopranoja Ermonela Jaho, do të jetë pjesë e filmit të zhanrit dokumentar me titull “Zjarri i shenjtë” të regjisorit Jan Schmidt-Garre.

Ky realizim, i cili do të shfaqet në kinema në muajin tetor 2021, paraqet tre artiste të operës: Ermonela Jaho, Barbara Hanigan dhe Asmik Grigorian.

“E përulur që të jem pjesë e filmit të fundit të Jan Schmidt-Garre, Fuoco Sacro, i cili del në kinema këtë Tetor. Filmimi ishte një eksperiencë katarktike dhe besoj se e ruan atë fuqi edhe sot. Ja kalove vetes Jan, urime për këtë kryevepër të ndjerë”, është shprehur vetë sopranoja në një status në rrjetin social facebook.

Dokumentari, eksploron si e kalojnë ato kohën para një nate hapjeje, si duken dhomat e tyre të zhveshjes dhe çfarë ndodh para një shfaqjeje.

Netët e operës mund të jenë emocionuese , por ato mund të jenë edhe të mërzitshme. Ndonjëherë ato ndryshojnë jetën. Kushdo që e pa Callas ende flet për të sot. Ashtu si Stanislavski, i cili spiunonte aktorët e mëdhenj me shpresën për të zbuluar sekretet e tyre, edhe në film këto tre personazhe vëzhgohen.

Jan Schmidt-Garre është regjisor dhe producent gjerman. Ai ve në skenë rregullisht opera në skenën gjermane dhe atë zviceriane.Është anëtar i Akademisë Gjermane të Filmit.

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho po vijon aktivitetin e saj me vlerësime të ndryshme edhe gjatë këtij viti. Në datën 27 qershor u zhvillua ceremonia gala e dhënies së Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike (ICMA). Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho fitoi çmimin e muzikës vokale për vitin 2021 me albumin e saj “Anima Rara”.

revista.one/