Çokollata e akullore kancerogjene, AKU sekuestron 36 ton produkte të kompanisë “Mars”
August 14, 2021Çokollatat Mars, Baunti, Snikers dhe Twix rezultojnë me përmbajtje kancerogjene. Alarmi është dhënë nga Bashkimi Evropian për këto produkte si dhe për akulloret e kompanisë “Mars”.
Pas sinjalizimit nga BE dhe aksioneve në disa shtete edhe në Shqipëri ka nisur asgjësimi i tyre nga marketet e vendit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se ka sekuestruar 36 ton çokollata dhe akullore të kësaj kompanie. Nga kjo e premte nuk do t`i shihni më në treg, por nëse në markete ka ende të tilla mos i blini.
Sipas AKU, këto prodhime kanë hyrë në Shqipëri në periudhën mars-maj 2021, para se BE të jepte alarmin.
Mediet e huaja thonë se në çokollatat dhe akulloret e kompanisë “Mars” është konstatuar oksid etileni, një substancë shumë e rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.
Më 13 korrik, shtetet anëtare të BE ranë dakord që të gjitha ushqimet e kontaminuara me këtë substancë duhet të tërhiqen nga tregu.
Fillimisht kompania Mars deklaroi se produktet e saj nuk ishin të dëmshme por së fundmi pas publikimit të disa hulumtimeve nga mediet ajo ka nisur mbledhjen e mallrave në disa shtete të Evropës.
Por rreziku nga prodhimet e “Mars” është vetëm maja e ajsbergut pasi rezulton se oksidi e etilenit përdoret edhe në shumë produkte të tjera që gjenden gjerësisht në treg si akullore, reçel e produkte të pjekura.
revista,one/