Del video e arrestimit të Florit në Itali, e shkuara befasuese e banorit të ri të Big Brother VIP Albania
January 9, 2026“Flori Official” është bërë pjesë e shtëpisë së Big Brother VIP Albania, i prezantuar nga produksioni si një personazh i njohur i rrjeteve sociale. Hyrja e tij në format u realizua në mënyrë të veçantë, e ndërtuar si një nga reklamat e tij të shitjeve online, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe banorëve.
Megjithatë, ajo që nuk u përmend në asnjë moment ishte emri dhe mbiemri i tij i vërtetë. Publikut iu servir vetëm nofka “Flori Official”, me të cilën ai njihet në internet, pa asnjë sqarim tjetër mbi identitetin personal.
Sipas raportimeve, emri i vërtetë i tij është Florian Prini, një person i cili rezulton i skeduar nga autoritetet italiane në lidhje me një çështje të rëndë penale. Mediat në Itali kanë raportuar që në shkurt të vitit 2015 për goditjen e një rrjeti prostitucioni, ku Prini përmendej si një nga personat përgjegjës.
Hetimet kishin nisur më 16 qershor 2014, pas një përleshjeje të dhunshme mes prostitutave, e cila përfundoi me plagosjen me thikë të një gruaje të re. Gjatë muajve në vijim, policia italiane rindërtoi skemën e funksionimit të rrjetit, duke zbuluar përplasjet mes prostitutave “të pavarura” dhe atyre që menaxhoheshin nga një çift shqiptar.
Sipas kronikave të kohës
Karabinierët arrestuan Florian Prinin dhe partneren e tij, Fabiana Hoxhën. Prini ishte rezident i ligjshëm në Itali, ndërsa Hoxha rezultonte e regjistruar si emigrante. Vendbanimi i tyre në Torre Pedrera ishte identifikuar prej kohësh si një qendër logjistike për aktivitetin e prostitucionit.
Detajet e dosjes janë tronditëse: Prini akuzohej se u impononte vajzave një “taksë” ditore (qira trotuari) prej rreth 50 eurosh.
Refuzimi për të paguar këtë shumë sillte pasoja të rënda, përfshirë dhunën fizike dhe kërcënimet, elementë këto që çuan në denoncimin e rastit dhe finalizimin e operacionit policor.
Aktualisht, mbetet e paqartë nëse produksioni i Big Brother VIP ka zgjedhur që të mos bëjë publik identitetin e vërtetë të “Flori Official” për shkak të kësaj të shkuare, apo nëse vetë banori ka preferuar të mos e deklarojë historinë e tij personale.

revista.one/


