Dhunuan pronarin e “Euro Hotel Ksamil”, gruaja e tij u shkatërron “beach bar”-in

Dhunuan pronarin e “Euro Hotel Ksamil”, gruaja e tij u shkatërron “beach bar”-in

July 20, 2025 0

Dhunuan me sende të forta, gjatë një konflikti për motive të dobëta, një 46-vjeçar, vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një 17-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të hotelit të Pashajt dhe dyshohet se konflikti ka shpërthyer për shkak të vendosjes së çadrave dhe kontrollit të hapësirës së plazhit përballë hotelit.

Mësohet se përplasja ka pasur motive pronësie dhe menaxhimi të territorit të vijës bregdetare, një problematikë që kohët e fundit është përshkallëzuar në zonat turistike të Jugut

Procedohet penalisht edhe bashkëshortja e 46-vjeçarit të dëmtuar, pasi shkaktoi dëme materiale në “beach bar”-in e njërit prej të arrestuarve.

Në vijim të zbardhjes së plotë të rrethanave të konfliktit të ndodhur ditën e djeshme, në Ksamil, dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

Agim Taraj 43 vjeç, banues në Berat, S. S., 18 vjeç, banues në Dibër dhe A. Z., 35 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një shtetas i mitur, 17 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, pranë një plazhi publik në Ksamil, shtetasin Albert Pashaj, 46 vjeç, banues në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Gjithashtu, lidhur me këtë ngjarje, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe nisi procedimi penal për shtetasen O. P., 40 vjeçe, pasi pas konfliktit kjo shtetase ka dëmtuar ambientin duke shkatërruar pajisje dhe sende të tjera në “beach bar”-in e shtetasit të arrestuar Agim Taraj.

revista.one/