“Duam Luizin dhe Kiarën moderatorë”, opinionet që mori nga ndjekësit Elhaida Dani, drejtoresha e Festivalit të RTSH
September 2, 2024Elhaida Dani, drejtoresha artistike e Festivalit të Këngës në RTSH, ka ndezur rrjetet sociale, duke ftuar ndjekësit të bëhen pjesë e vendimeve të mëdha për ngjarjen më të madhe të këngës shqiptare, me synimin që të krijojë një festival që reflekton dëshirat dhe pritshmëritë e publikut shqiptar.
Në një komunikim në Instagram, Elhaida u kërkoi ndjekësve të saj ide për moderatorët, të ftuarit VIP dhe artistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision, dhe përgjigjet ishin nga më të ndryshmet dhe më të paparashikuarat!
Kur pyeti se kë dëshironin të shihnin si moderatorë, sugjerimet e publikut ishin të shumta, por duket se çiftet VIP-a ishin zgjedhjet më të pëlqyera, duke nisur me çiftin e momentit, Luiz Ejlli dhe Kiara Tito, të cilët duken të jenë favoritët. Por jo më pak popullore ishin propozimet për Romeon dhe Donald Veshajn me partneret e tyre Heidi Baci dhe Bora Zemani. Madje, Bieta Sulo dhe Alban Dudushi u sugjeruan si një dyshe klasike që mund të sjellë elegancë në skenë.
Por nuk mbaron me kaq! Elhaida gjithashtu pyeti ndjekësit për të ftuarit VIP që do të dëshironin të shihnin në netët magjike të festivalit. Publiku hodhi disa emra të mëdhenj, si Rita Ora, Dua Lipa, Ava Max, madje edhe Slimane, përfaqësuesi i Francës në Eurovision dhe fituesi moral i publikut. Këto sugjerime tregojnë se publiku është i etur për një festival me përmasa ndërkombëtare, që tërheq yje të mëdhenj në skenën shqiptare.
Dhe si për të mos lënë asnjë “gur mundësie pa lëvizur”, Elhaida u kërkoi mendimet dhe për këngëtarin shqiptar që do donin të shihnin si përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovision.
Emrat e përmendur ishin të gjithë këngëtarë të njohur dhe të dashur për publikun: Elvana Gjata, Flor Mumajesi, Aurela Gaçe, Tayna, Alban Skënderaj, Arilena Ara, Fifi, Sardi Struga, etj. Lista e publikuar nga Elhaida është vërtet shumë e gjatë.
Publiku duket se kërkon muzikën e vërtetë pikërisht siç një komentues shprehu se “artistët e vërtetë janë ata që dinë të bëjnë muzikë për shpirtin,” duke nënvizuar rëndësinë e muzikës së mirë.
Në bashkëbisedimin e saj me publikun, Elhaida foli dhe për një çështje të ndjeshme: A donin ata rikthimin e një çmimi të vetëm fitues në Festivalin e Këngës, i cili do të dërgonte automatikisht artistin fitues në Eurovision?
Dhe siç pritej, më shumë se 90% e komentuesve e mbështetën këtë ide! Duket se publiku është lodhur nga ndarja e çmimeve dhe dëshiron të shohë një fitues të vërtetë që të dominojë skenën.
Me publikun që merr pjesë në çdo hap, Elhaida Dani po e kthen Festivalin e Këngës në një ngjarje që nuk duhet humbur dhe që premton të jetë më emocionuesi deri më tani!
revista.one/