Dy tërmete brenda pak minutash në Shqipëri, dëme dhe panik në Dibër
October 29, 2021Tërmet me magnitudë 4.5 ballë të shkallës rihter është regjistruar këtë të premte në vendin tonë. Sipas IGJEO epiqendra e saj ka qenë në Shupenzë të Bulqizës, ndërsa thellësia 14 kilometra. Janë ndjerë gjithsej 4 lëkundje, dy të parat të fuqishme.
Lëkundjet e mëngjesit të sotëm në verilindje të vendit kanë ngritur të tmerruar banorët nga shtrati dhe të gjithë kanë dalë në rrugë.
Njësia Administrative Gjoricë në Dibër është një nga më të prekurat, ashtu si dhe fshati Topojan në Njësinë Administrative Shupenzë ku gjithashtu ka banesa të dëmtuara.
Njësia administrative Gjoricë ka pësuar plasaritje dhe dëmtime dhe punonjësit kanë dalë nga zyrat nga frika.
Godina është e plasaritur, kanë rënë tjegullat dhe po kështu është dëmtuar dhe një kënd. Në Topojan 4 banesa të plasaritura dhe në njësinë Gjoricë ka banesa të dëmtuara.
Ndërkohë banorët tregojnë se kanë ndjerë 4 lëkundje dhe se kanë dalë të gjithë jashtë.
“U frikësuam, dolëm të gjithë nga shtëpia. Kanë qenë 4 lëkundje. I treti ka qenë më i fortë”.
“Dolëm të gjithë përjashta. Prisnim ndonjë lëkundje më të madhe, por shyqyr nuk pati”.
“Dolëm jashtë nga frika, ec e mos dil” shprehen banorët.
Shqipëria bën pjesë në zonën sizmogjene Jonike-Adriatike (rajoni i Shkodrës; Shqipëria perëndimore; zona Korçë-Ohër-Peshkopi, me vija aktive në Lushnje, Elbasan, Dibër dhe Vlorë, Tepelenë-Ersekë).
Alpet e Shqipërisë janë më pak të prekura nga lëkundjet e tërmeteve. Afërsisht, çdo vit në Shqipëri shkaktohen 4-5 tërmete me 6 ballë dhe çdo 25 vjet shkaktohet 1 tërmet me afro 9 ballë, duke e bërë kështu Shqipërinë një rajon me aktivitet të lartë sizmik.
revista.one/