Ekspertiza: 18 vjeçarja nga Ferizaj kishte vdekur 24 orë para se të çohej në spital dhe kishte thyerje të gjymtyrëve
August 25, 2021Detaje nga akti mizor po dalin nga momenti në moment. Pasditen e së dielës, më 22 gusht 2021, para Qendrës së Emergjencës në Ferizaj, u la pa shenja jete 18-vjeçarja, Marigona Osmani, nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.
Për 18-vjeçaren nga Ferizaj, ende nuk ka raport të autopsisë, përveç një certifikate e cila i është dorëzuar familjes të së ndjerës, me t’ua dorëzuar trupin Mjekësia Ligjore.
Nazlije Balaj, këshilltare në Ministrinë e Drejtësisë, ka thënë se në atë certifikatë përmendet qartë se në rastin e vrasjes së 18 vjeçares, ka të bëhet me poli-traumë.
“Nuk ka ende raport të autopsisë, por ka certifikatë të autopsisë. Sepse raporti i autopsisë përmbyllet kur të mbyllen të gjitha analizat laboratorike. Çertifikata e autopsisë, i lëshohet familjes, dhe në të është e shkruar qartë dhe saktë se në këtë rast kemi të bëjmë me politraumë”.
Por se çka do të thotë saktësisht politrauma, ajo shpjegon:
“Është një rast shumë i rëndë. Ka të bëjë me thyerje të gjymtyrëve, shkurt shqip, një lloj dhune e përdorur që e ka shkaktuar edhe vdekjen e saj, mirëpo raporti i autopsisë do ta tregojë qartë dhe saktë, shkakun e vdekjes, kohën e vdekjes, mjetet të cilat janë përdorë për vdekje, ndërsa analizat laboratorike i dhanë të dhënat tjera të cilat janë të domosdoshme kur kryhet një autopsi dhe raport i cili i dërgohet prokurorisë për hetime të mëtutjeshme”, tha Balaj.
E lanë pa shenja jete para Emergjencës në Ferizaj, si u arrestuan Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu?
Gjithçka nisi me një pamje nga Emergjenca e Ferizajt, për të vazhduar më pastaj me kërkime intensive nga Policia e Kosovës të cilët me ndihmën e qytetarëve arritën të arrestojnë të dyshuarit.
Pak orë pas pamjeve nga Emergjenca u arrestua Arbër Sejdiu, 32-vjeçar, i cili edhe më herët ishte i akuzuar për vepra penale, e tashmë është i akuzuar edhe për vrasjen e Marigonës.
Arrestimi i Sejdiut mori vetëm disa orë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, i caktoi masën e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë që qytetarë të shumtë u mblodhën për të protestuar përballë stacionit policor në Ferizaj, u dha lajmi se i dyshuari kryesor për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqa u arrestua nga Policia e Kosovës, në një fshat në afërsi të Ferizajt.
Me pranga në duar e kokën ulur, ai u fut në Stacionin Policor në Ferizaj, për të mos e thënë asnjë fjalë para zyrtarëve hetues, duke zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Varrimi i Marigona Osmanit, mbuluar me flamurin kombëtar
Si heroinat, nën flamurin kombëtar kuq e zi, familjarë e miq të familjes Osmani, po i jepnin lamtumirën e fundit 18-vjeçares, Marigonë, e cila sipas informacioneve të publikuara ishte keqtrajtuar dy ditë psiqikisht e fizikisht deri në vdekje.
Babai i viktimës 18 vjeçare nga Ferizaj, Muhabi Osmani, ka thënë se vonë e ka kuptuar se vajza e tij ka qenë me një person që ka pasur vepra kriminale.
Muhabi Osmani shprehet i mllefosur me organet e drejtësisë se si e kanë lënë në liri një person të dyshuar për disa vepra penale.
“Gjyqësori do të duhej të merrte masa ndaj këtij personi i cili familjen time e goditi keq. Jemi shumë te shqetësuar për këtë që më ka ndodhë”, ka thënë ai.
Neglizhenca e mundshme nga Gjykata për rastet e mëparshme të Dardan Krivaqës e Arber Sejdiut
Duke qenë se të dy të dyshuarit për vrasjen mizore kanë pasur edhe vepra të tjera penale, Këshilli Gjyqësor i Kosovës është zotuar se do të marrë masa në rast se del se ka pasur neglizhencë nga gjykata ose nga gjyqtarë të caktuar në rastet e mëparshme të Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut.
Ministrja e Drejtësisë ka thënë se për rastin e vrasjes së 18-vjeçares nga Ferizaji do të kërkojë përgjegjësi nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës.
revista.one/