Elvana Gjata flet për “këmbët e gjata” të gënjeshtrave rreth saj

Elvana Gjata flet për “këmbët e gjata” të gënjeshtrave rreth saj

October 9, 2024 0

Elvana Gjata ka një përgjigje për disa lajme në rrjete sociale që sipas saj janë jo të vërteta. “Në momentin që çdo gjë ka kaluar në platformat online, rrjetet sociale, ka plasur një luftë lojë numrash, klikimesh, komentesh, opinionesh”, thotë ajo.

“Për shembull për mua nuk më bën çudi asgjë dhe nuk çuditem kur shikoj lajme me romancë në momentin kur bëj një kërcim në skenë me Ylli Limanin, apo në momentin kur jam në film “2 Gisht Mjaltë” me Ermalin, apo me serialin me Romeon. Por nuk do të thotë që unë tani do të reagoj gjithmonë, sepse realisht i bie që të merrem vetëm me këtë punë dhe të lë gjërat e tjera”, thotë këngëtarja.

Më tej, ajo shtoi: “Fakti është që të thuash të vërtetën sot është çmenduri në një botë plot me gënjeshtra. Sot e vërteta mbulohet me mijëra gënjeshtra. Është e trishtë kur ti shikon një lajm që promovohet dhe riprodhohet nga një mijë portale të tjera dhe nuk i gjendet më as fillimi dhe as fundi. Në fakt këtë do ta quaja një gënjeshtër të madhe. Ne kemi atë shprehjen tonë që gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por në kohët që jetojmë gënjeshtrës i janë zgjatur shumë këmbët. Unë jam sulmuar me lajme të rënda do thoja, të pavërteta. Jo vetëm të pavërteta do thoja, por jashtë çdo llogjike dhe sensi, por kjo mua nuk më ka bërë që të ndalem dhe fakti që nuk kam reaguar nuk do të thotë që kam qenë indiferente, por kam zgjedhur të punoj me të gjithë forcat e mia.”

Ajo na ka zbuluar më shumë detaje rreth jetës së saj private, rolit si aktore në serialin “Tenxherja Kapakun” dhe projektet e tjera që e presin.

Siç edhe e lartpërmendëm, ajo momentalisht është duke realizuar serialin “Tenxherja Kapakun”, ku është aktore protagoniste së bashku me Romeo Veshaj.

Kjo nuk është e vetmja eksperiencë e saj në aktrim, pasi Elvana ka luajtur edhe në projekte të tjera kinematografike.

Shumë veta janë skeptikë për pjesëmarrjen e saj në këtë industri, por rikujtojmë se ajo ka mbaruar studimet e larta në deepartamentin “Regji”.

Mendon Elvana se do të kishte qenë më e suksseshme nëse do të zgjidhte aktrimin si profesion të parë?

“Patjetër, muzika është profesioni im. Thjesht aktrimin nuk e bëra dot atëherë kur doja. Në fakt, unë mbarova shkollën dhe më pëlqente shumë. Në shkollë kam qenë shumë aktive. Më pëlqente shumë që ta zhvilloja, por nuk pata asnjë propozim në fakt.

Të gjithë profesorët thonin ‘aktore e shkëlqyer’, por nuk pata ndonjë propozim të mirë. Nuk pata derisa triumfoi Ermali, se Ermali ishte ai që më shtyu i pari të bënim film. Edhe unë atë. Kështu që mendoj që patjetër me muzikën, aktrimi im kam marrë një shtrirje më të madhe. Patjetër që po”

Prej shumë vitesh karrierë tashmë, ajo njihet si diva e muzikës shqiptare dhe dallon nga këngëtaret e tjera për zërin e veçantë, stilin e saj dhe si këngëtarja që ka sjellë revulucion në industrinë muzikore shqiptare. Si ndihet Elvana për këto arritje në karrierën e saj?

Patjetër që ndihem shumë e realizuar dhe e lumtur. Nuk diskutohet, por në të njëjtë kohë kjo më jep një përgjegjësi shumë të madhe edhe më frymëzon që të bëhem edhe më shumë. E mira nuk ka fund”.

Cilin moment të karrierës do të veçonte ajo?

“Unë çdo moment do ta quaja një gur të çmuar në karrierën time artistike, sepse çdo derë që më është hapur apo më është mbyllur, për çdo mundësi që më është dhënë apo marrë, pavarësisht si jam ndjerë e lumtur apo e lënduar, për të gjitha këto unë jam mirënjohëse dhe janë të shtrenjta për mua, sepse këto kanë shtruar rrugën dhe kanë formuar atë që unë jam sot”.

Gjatë intervistës u përmend edhe mbështetja e saj më e madhe në këto hapa, i cili është Andi Gramo. Ai ka qenë me të në çdo hap, ku përmendim këtu pikën më kulminante që ishte realizimi i koncertit “Dekada” në vitin 2023 dhe vazhdon të krijojë gjëra të bukura me të. Cilat priten të jenë projektet e radhës?

“Nuk është një, janë shumë. Shumë. Shumë…”.

Elvana shfaqet shumë rrallë në intervista dhe nuk shprehet shumë për jetën e saj personale, por në këtë episod ajo u jep përgjigje shumë pyetjeve. Një prej tyre është pikërisht kjo, përse ajo është bërë e ‘pakapshme’, siç e përshkruajnë disa ndjekës? Ja se si përgjigjet ajo:

“Nuk është se unë jam e paprekshme apo e pakapshme. Të paktën jo me qëllim, por kush më njeh e di. Edhe ti e di që unë jam shumë ‘workaholic’ (e dhënë pas punës). Kështu që e dua shumë këtë që bëj. E dua me gjithë zemër, edhe kur bëhet e lodhshme prapë e dua. Edhe më pëlqen shumë që të përfshihem në çdo proces të çdo projekti tim, çfarëdo lloji qoftë. Ndoshta kërkoj e kërkoj atë maksimumin dhe derisa të sigurohem që ka dalë më e mira, atëherë jam e qetë që të dalë edhe pse nuk mjafton asnjëherë”.

Pra, për të gjithë ata që nuk e kanë ditur, prioriteti kryesor i Elvanës është puna dhe vetëm puna. Edhe aryesja përse ajo zgjedh të dalë në intervista më rrallë është për shkak të angazhimeve. 

“Kur e bëj një intervistë dua që të sigurohem që të jetë një bisedë e lirë, të jetë një energji e mirë dhe pozitive, pa shumë pompozitet”./TAR