Enca Haxhisë i gjejnë vazo me kanabis në ballkon
September 12, 2023Këngëtarja Enca Haxhia është arrestuar nga policia e Tiranës me akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike. Burimet zyrtare thanë se efektivët e Komisariatit nr. 1 ushtruan kontroll në banesën e shtetases Ruenca Haxhiaj, 27 vjeçe, ku në ballkon u gjetën 5 vazo të mëdha të mbjella me kanabis.
Pas arrestimit në banesën e saj në zonën e Saukut, këngëtarja ka dhënë shpjegime duke pohuar se është përdoruese dhe se lëndën narkotike e ka për përdorim vetjak.
Bashkë me të renë sipas policisë, gjatë operacionit të koduar me emrin “Balcony”, është ndaluar edhe partneri i Encës.
Pamjet e publikuara nga policia tregojnë se bimët e mbjella në vazo në ballkonin e këngëtares arrinin në lartësinë deri 1 metër.
Njoftimi i policisë:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Balcony”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
revista.one/