“Eurovizion i shpërndan pikët sipas pasaportës”
May 18, 2025Luiz Ejlli ka reaguar përmes një postimi në Instagram lidhur me ndarjen e pikëve në finalen e Eurovision 2025. Sipas tij, rezultati i këtij kompeticioni është më shumë pasojë e lojërave politike dhe aleancave mes shteteve sesa e vlerësimit real të performancave muzikore.
“Ajo që pashë në Eurovision ishte e njëjta histori e vjetër… pikë që shpërndahen sipas pasaportës, jo sipas performancës”, shkruan ai, duke nënvizuar se vendet e vogla që guxojnë të sjellin diçka ndryshe shpeshherë ndeshen me vështirësi për t’u vlerësuar drejt.
Ai thekson se Shqipëria këtë vit, përfaqësuar nga “Shkodra Elektronike”, solli një pamje të re, moderne dhe autentike të vendit. “Shkodra foli me zë të lirë, solli një Shqipëri tjetër, moderne, elektrike, me identitet”, shkruan Luiz, duke shtuar se “s’ka pikë që na e ul vlerën”.
“Eurovisioni është festivali ku zëri vlen vetëm nëse vjen me pasaportën e duhur”, shkruan ai, duke përmendur artistë të kaluara si Frederik Ndoci, Aurela Gaçe, Rona Nishliu e Anjeza Shahini, të cilët dhanë performanca të jashtëzakonshme, por që u ndeshën me një realitet të padrejtë votimi.
Në mesazhin e tij, Ejlli vë në dukje se Shqipëria, ndonëse ka sjellë artistë me zë dhe identitet të fortë, nuk arrin të marrë vlerësimin e merituar në skenën europiane për shkak të mungesës së ndikimit gjeopolitik dhe të aleancave rajonale.
“Ne japim art, ata bëjnë politikë. E në fund Eurovisioni mbetet një konkurs ku më i miri është ai që e ke mik në rajon. Na falni që s’kemi kufij me 14 shtete!”, shkruan ai me ironi.
“Muzika nuk është sport ku ka arbitër. Muzika është ndjenjë, dhe kjo ndjenjë nuk futet dot në kalkulime politike”, përfundon Ejlli mesazhin e tij.
Reagimi i tij ka ngjallur mbështetje dhe reflektim në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë ndajnë mendimin se Eurovisioni ka humbur balancën midis artit dhe interesave politike

Luiz Ejlli ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision në vitin 2006 me këngën “Zjarr e ftohtë”, ku mori 58 pikë dhe rendit në vendin e 14-të.
revista.one/