Fest 63 – Sot “Nata e Nostalgjisë”, artistët risjellin këngët që bënë historinë. Zgjidhen 15 finalistët
December 21, 2024Një festë e madhe pritet të jetë edhe Nata e Nostalgjisë në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Këngët që kanë bërë historinë e festivalit ndër vite do të vijnë të interpretuara në duet nga artistët pjesëmarrës të Fest 63.
Vota e jurisë do të përcaktojë sonte 15 finalistët, të cilët do të performojnë në natën e 4-tërt finale të Fest 63, ndërsa në natën finale, gjykimit të jurisë do t’i bashkohet edhe vota e publikut.
Në këtë edicion do të ketë vetëm një këngë fituese, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë edhe në Eurovizion.
Për herë të parë në këtë edicion të 63 të Festivalit të Këngës do të llogaritet edhe vota e diasporës.
Në natën e 3-të e cila përkon me mbrëmjen e nostalgjisë nuk do të mungojnë dhe të ftuarit special.
Me mbylljen e natës së dytë të Fest 63, publiku në sallë dhe miliona teleshikues të RTSH në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, por edhe në diasporë, kanë tashmë të plotësuar mozaikun e 30 këngëve, të cilat shënuan një kulm të ri në muzikën shqiptare mbarëkombëtare.
Nata e dytë, jo vetëm kishte zëra të pasur në kolore e interpretime, por kishte edhe ritëm edhe në të gjitha elementët skenikë, pasi të 15 konkurrentët dhuruan spektakël dhe ishin të sinkronizuar në mënyrë perfekte me Orkestrën Simfonike të RTSH-së drejtuar nga dirigjentët: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Markeljan Kapedani, Oleg Arapi, Olsi Qinami, Armando Broshka dhe Lirjona Sylejmani, si dhe bendin e drejtuar nga kantautori, Elton Deda.
Moment i veçantë në natën e dytë të Fest 63 ishte dhe çasti kur Aleksandër Gjoka, këndoi dy këngë mjaft të njohura për publikun shqiptar dhe më gjerë, si I ftuar special. Gjoka është një nga protagonistët e festivalit të këngës që në fillim të viteve ’90. Në Fest 63 ai erdhi si i ftuar special, duke ndezur skenën me këngët “Ecën në shi”, “Ditë dimri”, të cilat janë kënduar jo vetëm nga ai, por edhe nga spektatorët që kishin mbushur sallën plot e përplot.
Fest 63, në natën e dytë, është kthyer edhe në tribunën e mesazheve të ndjeshme për fenomenet që prekin shoqërinë tonë. Brixhida Muça ishte një tjetër grua që u ngjit në skenën magjike, ku përmes historisë së saj dha jo pak mesazhe force.
Përballja me dhimbjen më të madhe për një nënë, ta shohë fëmijën e saj sëmurë, nuk e mposhti Brixhidën. Ajo tregon se si mësoi ta kthente dhimbjen dhe trishtimin në forcë dhe kurajë për të ndihmuar djalin e saj.
Por edhe balerina Klaudia Pepa, dhuroi emocione mjaft të veçanta në skenën e Pallatit të Kongreseve. Ajo, mbi shputat delikate të këmbëve, mbështetur edhe mbi një monolog të cilin e interpretoi vetë, arriti një kombinim perfekt elementësh, të cilat jo vetëm sollën emocione në sallë, por i dhanë edhe klas interpretimit të saj skenik në Fest 63.
revista.one/