Festivali i Këngës/ Për Eurosong vendos publiku! Rikthehen Nallbani, Dilo e Rushiti

Festivali i Këngës/ Për Eurosong vendos publiku! Rikthehen Nallbani, Dilo e Rushiti

December 14, 2022 0

 Më 19 dhjetor, 26 këngëtarë do të konkurrojnë Festivalit të Këngës, që do të mbahet për 4 net. Në natën e parë do të prezantohen 8 këngë të artistëve të mirënjohur që ne i kemi quajtur ‘big’ dhe 5 këngë të artistëve të rinj dhe grupeve alternative. E njëjta gjë do të jetë në natën e dytë. Ndërsa në natën e tretë, kemi dashur të risjellim disa nga këngët më të mira të Festivalit ndër vite. Në konferencën për mediet, shumë prej tyre janë të pranishëm.

“Unë marrë pjesë këtë vit me dy këngë. ‘N’Eden’ me Rezarta Smajën ku kam bërë muzikën edhe tekstin. Dhe me Albina Kelmendin dhe familjen e saj kam vetëm tekstin e këngës ‘Duje’” , tha kompozitorja dhe autorja Eriona Rushiti.

Këngëtarja Manjola Nallbani këtë vit do të interpretojë këngën “Dua”.

“Është një këngë ritmike, kompozim I Kledi Bahitit, pastaj është poezia ime edhe desha të jap një mesazh sidomos pas gjithë kohëve se çfarë kemi kaluar, pas gjithë situatave. Njeriu gjithmonë edhe më shumë duhet të kuptojë se në këtë jetë duhet të zgjohesh në mëngjes dhe të biesh në darkë në gjumë duke thënë thjesht ‘Duaj’”, thotë këngëtarja Manjola Nallbani.

Ndërsa këngëtarja Rovena Dilo merr pjesë me një këngën “Motit” tekstin e të cilës e ka shkruar vet.

“Motit është një tekst dashurie, por që ka një mesazh për mentalitetin. Për atë që ne bëjmë jashtë dëshirës sonë, të drejtuar nga ajo që turma thotë”, shprehet Dilo.

Krahas mospublikimit të këngëve para performancave në Festival, risia më e rëndësishme këtë vit është tek çmimet. Do të ketë një juri që do të vendosë tre çmime të para si dhe një çmim për artistët e rinj dhe një për karrierë. Por fituesi do t’i lihet votës së publikut, përmes sms-ve.  Bojken Lako, Shpëtim Saraçi, Eraldo Rexho dhe Eduart Grishaj janë pjesë e stafit organizativ.

Sa i përket të ftuarve special mendohet të jenë 16. Do të ketë një monolog të veçantë nga aktorja Margarita Xhepa, performancë danci nga Ambeta Toromani e Kledi Kadiu.

revista.one/