Gazeta “Blick”: Lamborghini gri që bënte gara në Shqipëri u mor me qira në Zvicër
July 21, 2021Një Lamborghini gri “gjëmonte” autostradës drejt qytetit shqiptar të Vlorës, i ndjekur nga afër nga një BMW e zezë.
Kështu e fillon shkrimin mediumi zviceran Blick.ch, duke rrëfyer për një ngjarje të ndodhur në rrugët e Shqipërisë, në të cilën protagonistë janë dy kosovarë që jetojnë në Zvicër.
Sipas gazetës, makinat luksoze po bënin një garë, duke përshpejtuar deri në 225 kilometra në orë aty ku e lejuar ishte vetëm deri në 100 kilometra në orë.
Në dalje të qytetit, oficerët e policisë ndalojnë makinat me targa Schwyz dhe sipas policisë, në timonin e Lamborghini ishte një kosovar (40) i cili jeton në Zvicër.
Ndërkohë vë në pah Blick.ch, numri i tabelave tregon se bëhet fjalë për një makinë të marrë me qira nga në Schübelbach SZ të Zvicrës.
Megjithatë, pronari i kompanisë nuk ka dashur të komentojë për Blick. Ai ishte me pushime dhe nuk dinte asgjë për një incident të tillë.
Ndërkohë një 37-vjeçar nga Kosova ngiste makinën me BMW dhe makina e tij i përket një kompanie pastrimi në kantonin Schwyz.
Shefi i tyre është gjithashtu me pushime – dhe nuk ishte në dispozicion për të komentuar rreth ngjarjes, për Blick.
Policia shqiptare shkroi në një mesazh drejtuar të gjithë atyre që ecin me shpejtësi: “Të ngasësh automjetin me një shpejtësi të tillë është fatale. Ju rrezikoni seriozisht jetën tuaj dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”.
revista.one/