Gjermania, Franca dhe Italia kërkojnë pezullim të udhëtimit pa viza për Shqipërinë
September 30, 2021Tashmë rikthimi i vizave për shqiptarët me vendet e BE duket se nuk është më një kërkesë apo një tek e ndonjë vendi të BE. 3 vende të BE, Gjermania , Franca dhe Italia kanë paraqitur një kërkesë të ngjahsme që mban datën 27 shtator duke e argumentuar me numrin e lartë të kërkesave për azil apo qëndrimin përtej 90 ditëve të lejuara. Një gjë e tillë duket si një paradoks, duke qënë që Shqipëria aktualisht pret një përgjigje pozitive përsa i përket hapjes së negociatave me BE.
Numri i lartë i kërkesave për azil nga Shqipëria mund të kthehet në një makth të vërtetë për shqiptarët e të shënojnë hapa pas përsa i përket lëvizjes së lirë ne vendet e zonës Shengen.
Një ditë para vizitës së Presidentes europiane Ursula Von Der Leyen në Ballkan, një dokument i brendshëm është shpërndarë mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian, i cili ka shkaktuar diskutime mbi mundësinë e pezullimit të regjimit të udhëtimeve pa viza për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, por edhe Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën.
Dokumenti mban datën 27 shtator 2021 dhe vjen pak ditë para takimit të nivelit të lartë mbi vendet e Ballkanit Perëndimor e mbi Ukrainën që priten të mbahen në muajin tetor nën Presidencën sllovene të KE.
Në këtë dokument vlerësohet se udhëtimi pa viza mes Bashkimit Euopian e vendeve të Ballkanit Perëndimor është një arritje e rëndësishme e po ashtu dhe me vendet ish-sovjetike nën nismën e partneritetit lindor.
Por duket se jo të gjitha vendet anëtare janë të kënaqura, pasi dyshohet mbi një abuzim të këtyre vendeve me këtë të drejtë udhëtimi 90 ditor pa viza në territorin e BE.
Në veçanti Gjermania rendit Shqipërinë e Serbinë mes 10 vendeve me nurmin më të lartë të emigrantëve të parregullt e kërkesave për azil megjithë uljen që u shënua një vit më parë nga pandemia globale.
Gjermania ka regjistruar një rritje emigracioni të parregullt e banim të pautorizuar në territorin e tyre nga vendet si Shqipëria, Moldavia e Ukraina.
Në dokument delegacioni gjerman nënvizon se nëse nuk do të ketë ngadalësim apo përmirësim nga vendet e treta ndaj këtij fenomeni, pezullimi i udhëtimeve pa viza do të jetë një opsion real.
Të njëjtat pakënaqësi ndaj Shqipërisë, Serbisë e Gjeorgjisë mbi këtë fenomen ka shprehur dhe Franca.
Italia nga ana e saj siç lexohet në dokument
e konsideron angazhimin e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat e drejtësisë, sigurisë dhe lirive themelore si të kënaqshme dhe mbështet zbatimin e reformave në këto sektorë.
“Për këtë qëllim, Ministria e Brendshme italiane është e impenjuar në projektin “Kundërvënja ndaj krimit të rëndë në Ballkanin Perëndimor”, e që ka për qëllim nxitjen e standardeve të funksionimit të institucioneve gjyqësore dhe policore në këto pesë vende drejt aderimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian.
Sipas kësaj nisme, oficerët e policisë italiane janë vendosur në kryeqytetet e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur autoritetet lokale në luftën kundër krimit të organizuar dhe duke kontribuar në forcimin e mekanizmave të ndarjes së informacionit”.
Mbi problematikën e abuzimit me sistemin e udhëtimeve pa viza me këto vende, Italia shprehet e shqetësuar me Moldavinë, duke nënvizuar se rrjeti i trafikut të paligjshëm njerëzor po abuzon me këtë sistem.
Qeveria e Romës ka hedhur idenë e pezullimi të udhëtimeve pa viza për Moldavinë në rast të thellimit të këtij fenomeni.
Prej dhjetorit të vitit 2009 është lejuar udhëtimi pa viza drejt BE nga vendet Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Kjo u pasua në vitin 2010 me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, Moldavinë në vitin 2014 dhe Gjeorgjinë dhe Ukrainën në vitin 2017.
revista.one/