Gjykata e Posaçme dënon me 17 vite burg nënkomisarin Festim Lelaj, shpallet fajtor për trafikimin e 2.8 tonëve drogë drejt Italisë

Gjykata e Posaçme dënon me 17 vite burg nënkomisarin Festim Lelaj, shpallet fajtor për trafikimin e 2.8 tonëve drogë drejt Italisë

December 28, 2021 0

Gjykata e Posaçme dënon 17 vite burg Festim Lelaj, nënkomisarin e Policisë së Fierit i cili është shpallur fajtor për trafikimin e 2.8 tonëve drogë drejt Italisë. SPAK e akuzonte Lelajn se kishte trafikuar 350 kg drogë drejt Italisë në vitin 2014 dhe më pas 2.8 ton drejt Portit të Ankonës në 2017.

Nënkomisari është shpallur fajtor nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e e veprave penale nga organizata kriminale”.

Kush është Festim Lelaj?

Festim Lelaj, një efektiv policie nga Vlora por me detyrë nënkomisar në drejtorinë e Fierit, është arrestuar 7 muaj më parë si personi që ka organizuar trafikimin e 2.8 tonë drogë nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Ndërkohë dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim e më konkretisht shtetasi Skënder Siceqa dhe Arbi Mustafa.

Sasi e madhe droge është kapur në janar 2017 brenda një kamioni në Ancona, ndërkohë policia vendase mundi të kapë vetëm shoferin. Lidhur me këtë rast policia italiane ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku përgjatë një viti hetime, është konkretizuar me prova konkrete implikimi i nënkomisarit të policisë në këtë trafik droge. Sipas prokurorisë Lelaj, ka qënë pjesë e një zinxhiri policor që janë implikuar me grupet e trafikut të drogës në Vlorë dhe se kishte njohje të afërt me shtetasin Renaldo Avduli, polici i Vlorës i shpallur në kërkim për “Trafik të narkotikëve”.

Ka dyshime të forta thotë prokuroria se nënkomisari Lelaj ka lidhje me grupet kriminale që kultivonin lëndën narkotike në zonën e Treblovës dhe Vezhdanishtit. Në një vendim të Gjykatës së Lartë vërtetohej shoqëria mes dy policëve Renaldo Avduli dhe Festim Lelaj. Në këtë vendim të datës 15 shtator 2014 thuhej se Renaldo Avduli është tentuar të vritet për hasmëri nga shtetasi Satilno Basho, por ka qënë ndërhyrja e Festim Lelaj që ka ndihmuar Avdulin nga kjo ngjarje kriminale.

revista.one/