Grabitet gjatë natës statuja e këngëtares Tina Turner në Durrës
March 7, 2025Një statujë e ngritur kohë më parë në shëtitoren Taulantia të Durrësit, është zhdukur. Bëhet fjalë për statujën e këngëtares së zhanerit të rokut, Tina Turner, e cila ishte ndërtuar në një kompleks të artit urban në këtë qytet, bashkë me tre ikonave të tjera të muzikës: John Lennon, Bob Dylan dhe Jim Morrison.
Nuk dihet ende se kush e ka shkulur dhe rrëmbyer statujën, ndërsa dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur gjatë natës së kaluar. Pritet që policia të zbardhë ngjarjen dhe të vendosë para përgjegjësisë autorët.
Kjo nuk është hera e parë që statuja e Tina Turner hiqet nga trotuari. Në vjeshtën e vitit 2022, ajo u dëmtua kur një fëmijë iu var në krahë, duke bërë që statuja të thyhej, duke lënë vetëm këmbët të paprekura. Pas disa muajsh, shtatorja u riparua dhe u kthye në kompleksin, i cili është kthyer në një atraksion të preferuar për vendasit dhe turistët në bregdetin e Durrësit.
revista.one/