Hapet “GoFundMe” për Elvis Shkambin, mijëra euro të mbledhura
October 9, 2025Pas ngjarjes tronditëse në Gjykatën e Apelit të Durrësit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra gjatë një seance, rrjetet sociale janë përfshirë nga reagime shqetësuese që shkojnë deri në justifikimin e krimit.
Së fundmi, është hapur një fushatë në platformën GoFundMe me qëllim mbledhjen e fondeve për autorët, Elvis dhe Gjon Shkambi, nën sloganin “Support for legal rights for all”. Fushata, e promovuar nga faqja “Albanian Women of Michigan” dhe organizuar nga familjarë të autorëve, kërkon ndihma financiare për “mbrojtje ligjore profesionale dhe të pavarur”.
Në përshkrimin e fushatës, ngjarja paraqitet si pasojë e “sistemit të korruptuar të drejtësisë” dhe “dështimeve institucionale”, duke e kthyer autorin e krimit në një simbol të “padrejtësisë shtetërore”. Ndërsa përmenden “mungesa transparence” dhe “mbrojtja e të drejtave”, nuk ka asnjë përmendje për viktimën apo dhimbjen e familjes së saj.
Ky veprim alarmues ka shkaktuar reagime të ashpra në opinion, ku shumë qytetarë e dënojnë nismën si një përpjekje për të romantizuar një akt kriminal dhe për të manipuluar opinionin publik.
Derisa fushata ka mbledhur mbi 4,300 dollarë, rasti i vrasjes së gjyqtarit Kalaja ngre shqetësime serioze për sigurinë në sistemin gjyqësor, funksionimin e drejtësisë dhe degradimin e diskursit publik që po prodhon më shumë empati për dhunuesit sesa për viktimat.

revista.one/