Horror në Malin e Llogarasë, qëllohen me armë gjahu 22 kuaj të lirë, dyshohet për konkurrencën mes guidave të turistëve
August 8, 2025Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në Malin e Llogarasë, në zonën Dukat–Llogara në afërsi të zonës Gropat e Pirit, ku 22 kuaj të lirë janë qëlluar me armë gjahu, duke shkaktuar një masakër të vërtetë mbi këto kafshë të pambrojtura.
Sipas denoncimeve të pronarëve dhe aktivistëve, katër prej kuajve kanë ngordhur menjëherë nga plagët e marra, ndërsa pjesa tjetër ndodhet e fshehur nëpër pyll disa të plagosur e disa në nevojë urgjente për veterinerë. Deri më tani pronarët nuk kanë arritur t’i lokalizojnë kuajt pasi janë të traumatizuar të qelluar.
Burime nga zona bëjnë me dije se motivi mund të lidhet me konkurrencën ose konflikte mes pronarëve që zhvillojnë guida me kuaj. Disa prej kafshëve të qëlluara ishin të lira në pyjet e Llogarasë për t’u parë nga turistët, ndërsa të tjera përdoren për shëtitje dhe guida turistike.
Pamjet e siguruara nga vendngjarja janë të rënda dhe tregojnë qartë barbarinë e ushtruar ndaj një tufe kuajsh që lëviznin të lirë në zonën malore. Sipas banorëve, ky nuk është rasti i parë që kafshët në këtë zonë goditen me armë, por masakra e fundit ka shkaktuar zemërim të madh publik dhe thirrje për ndërhyrje urgjente nga institucionet.
Pronari i kuajve Foni Konomi u shpreh se autoritetet janë njoftuar menjëherë pas ngjarjes, por deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete, ndërsa policia thote se po hetohet ngjarja e rëndë.
Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve dhe komuniteti lokal kërkojnë hetim të plotë të rastit, ndëshkim për autorin dhe marrjen e masave ligjore për të mbrojtur kafshët e lira nga dhuna. Ata theksojnë se mungesa e reagimit institucional vetëm sa inkurajon përsëritjen e akteve të tilla mizore.




revista.one/