I bllokuar në galerinë e shembur, grupet e avari-shpëtimit kërkojnë minatorin e Bulqizës
September 16, 2021Muharrem Plaku, minatori i Bulqizës, prej 24 orësh ndodhet në Galerinë 3 të një miniere të zotëruar nga kompania “KADURTEX”. Rreth orës 12.00 të mesditës së djeshme, në Galerinë 3 ku ai dhe kolegët e tij po punonin, u shemb një masiv dheu dhe bllokoi hyrjen.
Nga 6 minatorë që ndodheshin brenda, 5 dolën me dëmtime të lehta, ndërsa i bllokuar ka mbetur 61 vjeçari Muharrem Plaku.
Fati i minatorit nuk dihet. Prej mesditës së djeshme grupet avari-shpëtimit të minierave kanë shkuar në vendngjarje dhe po punojnë për hapjen e galerisë, në mënyrë që të arrijnë në vendin ku është bllokuar Muharrem Plaku.
61 vjeçari punonte prej 8 vitesh në këtë minierë.
Kompania “KADURTEX sh.p.k.” ka administrator Kapllan Duriçin dhe bashkëpronarë vëllezërit e tij Myfit dhe Ilber Duriçi. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, për të parë nëse kemi të bëjmë me mosrespektim të rrugullave të mbrojtjes në punë apo një ngjarje aksidentale.
revista.one