I dogji dy herë lokalin, Noizy publikon foto të kushëririt: U rrit nga familja ime, është besimtar ekstremist

I dogji dy herë lokalin, Noizy publikon foto të kushëririt: U rrit nga familja ime, është besimtar ekstremist

June 29, 2023 0

Kushëriri i këngëtarit reper Noizy identifikohet dhe arrestohet si zjarrvënësi i përsëritur i objekteve në pronësi të familjes Rajku. Policia ka identifikuar dhe arrestuar mëngjesin e sotëm 26-vjeçarin Eraldo Musteqja si autor i dyshuar i 3 zjarrvënieve të qëllimshme gjatë muajit qershor.

Në orët e para të ditës së sotme 26-vjeçari me një thikë në dorë është shfaqur pranë lokalit Zins në Currila të Durrësit dhe i ka vënë flakën ambienteve të jashtme të tij, konkretisht verandës. Zjarrfikësit me të marrë njoftim kanë shkuar dhe bërë fikjen e zjarrit, ndërsa policia ka mundur të kapë autorin e dyshuar që është dhe djali i dajës së Noizyt.

Ky person pas një konflikti me Noizyn dhe hallën e tij është përfshirë në akte të qëllimshme për t’i dëmtuar. Pas zjarrit të rënë më 11 qershor të njëjtin lokal Noizy dhe stafi i lokalit nxituan të thonë se zjarri u shkaktua nga një shkëndijë elektrike, mesa duket  për të shmangur denoncimin ndaj familjarit të tyre i cili mëngjesin e sotëm doli hapur duke kërcënuar me armë të ftohtë dhe vënë flakën lokalit të Rigels Rajkut, lokal që është në emër të babait të tij.

Më 10 qershor, i njëjti person dyshohet se i vuri zjarrin edhe derës së shtëpisë së këngëtarit.

Më poshtë njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, për zbardhjen e tre rasteve të zjarrvënieve ndaj biznesit dhe banesës së të njëjtës familje.

I vuri 2 herë (mëngjesin e sotëm dhe më datë 11.06.2023) zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, identifikohet dhe arrestohet në flagrancë 26-vjeçari.

I ndaluari, lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar.

Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu sekuestrua një mjet prerës (thikë).

Si rezultat i punës intensive hetimore për disa raste zjarrvëniesh, të kryera gjatë periudhës 10.06.2023-29.06.2023, si dhe në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të situatës në nivel qarku, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Përsëritësi”, në kuadër të të cilit u identifikua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Eraldo Musteqja, 26 vjeç.

Nga veprimet e shpejta dhe profesionale policore, 26-vjeçari (lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar) u kap në flagrancë mëngjesin e sotëm, pasi i kishte vënë zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, në pronësi të shtetasit B. Rajku.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se i njëjti shtetas i ka vënë zjarrin të njëjtit lokal, më datë 11.06.2023, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, më datë 10.06.2023.

Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një mjet prerës (thikë).

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtyre rasteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Reagimi i Noizyt

Këngëtari Rigels Rajku, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme, ku lokali në pronësi të të atit u përfshi nga flakët, hera e dytë kjo brenda një muaji.

Me anë të një postimi në “Instagram”, këngëtari ka publikuar një foto të kushëririt që dyshohet si autori i dy zjarrvënieve, për të cilin ka thënë se është rritur nga familja e artistit.

Ai shprehet që ky është një akt terrorist dhe se Eraldo, është një besimtar ektremist. Megjithatë këngëtari shprehet se nuk mund të krijojë urrejtje për një person me të cilin është rritur dhe se ja lë në dorë Zotit dhe drejtësisë të gjithë ngjarjen.

Postimi:

“Ky është Eraldo, i rritur nga familja ime qe në fëmijëri, Eraldo ndërroi fe, u bë një besimtar ekstremist, dhe kishte besime të forta se lokalet s’duhet të shesin alkool dhe se muzika është haram. Prandaj vendosi që të bëjë atë akt terrorist. Gjithsesi jeta vazhdon, unë dhe familja ime jemi të gjithë mirë. Uroj që Eraldo të bëhet më mirë dhe të kuptojë gabimin. Unë s’mund ta urrej sepse jam rrit me të, ia kam lënë në dorë Zotit dhe drejtësisë. The beautiful @zins_durres është shumë mirë dhe përherë do të jetë mirë. Ziliqar dhe keqbërës do të ketë përherë, por varet sa i fortë qëndron ti dhe se si e menaxhon situatën. Love you lil bro”- shkruan Noizy.

revista.one/