I hapi llogari në ‘GoFoundMe’, ekzekutohet kushëriri i Elvis Shkambit
November 18, 2025Ardian Kraja, drejtues TV në Florida, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Shqipëria Live” në Top Channel, ka zbardhur detaje nga vrasja e 44-vjeçarit shqiptar, Francesk Shkambi në Michigan të SHBA-së.
Rezulton se viktima është kushëriri i Elvis Shkambit, personit që vrau në sallën e gjyqit gjyqtarin Astrit Kalaja, dhe e ndihmoi duke i hapur një llogari në ‘GoFounMe’.
Kraja përjashtoi pistën se 44-vjeçari është vrarë për shkak të lidhjes me Elvis Shkambin, duke thënë ‘nuk besoj se ka lidhje ngjarja në Shqipëri me atë në Michigan’. Kjo referuar ndonjë hakmarrje të mundshme nga familjarët e të gjyqtarit të vrarë, Astrit Kalaja.
“Franko ishte një personazh mjaft i respektuar në komunitet, e trajtonin si shok, jo si menaxher. Nuk dihen ende arsyet e krimit, pasi janë ende çështjet nën hetim.
Nuk mendoj se do të ketë lidhje, besoj se do të ketë lidhje me diçka tjetër. Ai kishte një procedim penal në SHBA dhe ishte falur nga ish-presidenti Joe Biden. Ka qenë një falje e gjerë dhe ndërmjet tyre ka qenë dhe Franko. Nuk mendoj se ngjarja në Shqipëri ka lidhje me atë në Michigan.
Ai njihej si njeri i respektuar, ndihmues me punëtorët që menaxhonte. Kishte filluar një jetë të re, për hesapet e vjetra… s’e di. Franko punonte në një restorant tipik amerikan. Një pjesë e personelit janë shqiptarë.
Amerikanët i bëjnë gjerat me vetëdije të plotë. E ka bërë me koshiencë të plotë atë veprim. Duket ngjarje nga gjaknxehtësie, jo mafioze”, u shpreh ai.
Policia e gjeti 44-vjeçarin të plagosur në një verandë jashtë restorantit. Pavarësisht ndihmës mjekësore ai ndërroi jetë në spital.
Autori i dyshuar i vrasjes është identifikuar si Tonin Pjetri. 65 -vjeçari gjithashtu shqiptar u vetëdorëzua rreth 20 minuta pas krimit, ndërsa u gjet pistoleta me të cilën u krye vrasja, rezulton se ishte raportuar e vjedhur.
Pronari i Prime 7, Frank Gjuraj, njëkohësisht edhe kunati i Shkambit ka treguar se fillimisht autori i dyshuar e mori në telefon për të biseduar. Pasi 44-vjeçari doli nga restoranti u qëllua dy herë me armë.
Zyrtarët deklaruan se viktima dhe autori e njihnin njëri-tjetrin prej vitesh dhe mes tyre kishte pasur një konflikt të mëparshëm, megjithatë motivi i saktë ende mbetet i paqartë.
Ndërkohë 44-vjeçari rezulton të jetë një emër i njohur edhe për drejtësinë amerikane. Ai ishte mes personave që përfituan nga faljet dhe uljet e dënimeve të firmosura nga ish-presidenti amerikan Joe Biden në dhjetor 2024. Ai ishte dënuar për komplot për posedim dhe shpërndarje të kokainës, heroinës, marihuanës dhe ekstazisë në vitin 2013.
Nga ana tjetër viktima ishte kushëriri i Elvis Shkambit, të riut që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit. Ai ishte gjithashtu personi që hapi një llogari në GoFundMe me qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e Elvis dhe Gjon Shkambit. Në përshkrimin e atij fondi, Françesk Shkambi prezantohej si i afërm i autorit të vrasjes së gjyqtarit.
revista.one/


