Incident në “She’s on Top”, modelja bie në pishinë gjatë sfilatës
June 23, 2025Një moment i papritur ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave gjatë edicionit të spektaklit televiziv “She’s on Top”, ku një modele humbi ekuilibrin dhe përfundoi në pishinë, në një situatë që nuk ishte aspak pjesë e skenarit të mbrëmjes.
Incidenti ndodhi teksa këngëtarja e njohur Ronela Hajati po performonte live pranë një pishine.
Teksa atmosfera ishte e mbushur me energji dhe ritëm, një grup modelesh po sfilonin në mënyrë koreografike rreth skenës, por njëra prej tyre nuk arriti të mbante balancën gjatë ecjes në platformë dhe rrëshqiti, duke rënë në mënyrë spektakolare në pishinë.
Momenti ishte krejtësisht i papritur dhe krijoi një reagim të menjëhershëm nga publiku në sallë, stafi i pranishëm dhe vetë pjesëmarrësit.
Fatmirësisht, modelja Enxhi e trajtoi mirë këtë situatë, ku vazhdoi sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Pamjet nga momenti i rënies janë bërë virale në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës e kanë komentuar si një nga momentet më të veçanta dhe ‘reale’ të spektaklit.
“She’s on Top”, një nga formatet më të ndjekura që kombinon modën, performancat live dhe garën e bukurisë, këtë herë u bë pjesë e lajmeve jo vetëm për shkëlqimin në skenë, por edhe për një incident që, në fund, e shtoi autenticitetin dhe emocionin e mbrëmjes.
revista.one/