Infermierja e Psikiatrisë vidhte kartat ID të pacientëve dhe merrte kredi, sekuestrohen mbi 400 milionë lekë
September 28, 2021Një skemë mashtrimi si nëpër filma ka ndodhur në Tiranë, duke vënë në pranga 2 të reja, mes tyre një infermiere. Elisabeta Bardhollari , 39 vjeçe, e punësuar si infermiere në Spitalin Psikiatrik nr.5 në Tiranë u vidhte kartat e identitetit pacientëve që shkonin për mjekim dhe më pas ia jepte ato shoqes së saj Orjada Hoxha, 32 vjeçe.
Më pas 32-vjeçarja, e cila punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake në në dyqan në zonën e Porcelanit, i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi në emër të pacientëve me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte.
Gjithashtu nën hetim në gjendje të lirë është edhe A.H., i cili transportonte pajisjet elektroshtëpiake që bliheshin nga 32-vjeçarja dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Infermierja e arrestuar ka qenë edhe më parë e proceduar për të njëjtën skemë mashtrimi, por në gjendje të lirë.
Dy të arrestuarat kanë përfituar një vlerë rreth 40 milionë lekë (të rrja) nga kreditë e marra në emër të personave të tjerë në mënyrë të paligjshme, ndërsa arrestimi i tyre ka ndodhur gjatë operacionit të koduar “Elektro”.
Njoftimi i Policisë
Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë ka zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Elektro”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetaseve:
– Elisabeta Bardhollari, 39 vjeçe dhe Orjada Hoxha, 32 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. H.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasja E. B., e punësuar si infermiere në spital, vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për mjekim dhe më pas ia jepte shtetases O. H., e cila punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake Shtetasja O.H. i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte, të cilat transportoheshin nga shtetasi A. H. dhe më pas i shisnin në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi dhe vënien e tyre para drejtësisë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.
Sekuestrohen pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, me vlerë rreth 40.000.000 lekë.
revista.one/