“Ja kush e goditi Martinin dhe djalin tim”, babai i 14 vjeçarit të plagosur: Janë dy vrasës, njëri është ende i lirë
November 23, 2024Në Euronews Albania ishte i ftuar mbrëmjen e somte babai i djalit të plagosur pas sherrit te shkolla “Fan Noli” në Tiranë ku humbi jetën 14-vjeçari Martin.C. Babai i Luisit tregon një detaj të ri në këtë ngjarje ky sipas tij Luisi dhe Martini janë goditur nga dy persona. Ai ka treguar dhe emrin e personit tjetër që sipas tij ka goditur Martinin dhe djalin e tij. Sipas tij ai është Kledjon Begaj një shok i autorit të dyshuar.
“Po ta them me emër që personi i parë që e ka goditur Luisin me thikë pas shpine është Kledjon Begaj, bashkëmoshatar dhe shok i autorit tjetër. Ky Kledjoni e ka pasur thikën më të vogël dhe këto dëshmi i dhashë sot te Drejtoria e Policisë. Kledjoni e ka goditur i pari në shpatull djalin tim, është më shkurtër si plagë dhe më e ngushtë, herën e dytë e ka goditur ky djali që është kapur Mario, dy herë dhe në fund pastaj e kanë goditur të dy se djali ka ikur i fundit pasi ka parë Martinin të rrëzuar në tokë”, tha babai i Luisit në emisionin Review në Euronews Albania.
“Kërkoj arrestim të shpejtë, sepse kam marrë vesh se ka marrë prindërit dhe do të largohet nga Shqipëria, ose është larguar. Kjo është deklaratë zyrtare nga policia. K. B. është lënë i lirë, por ai duhet të nxjerrë armën e krimit dhe të shkojë të dorëzohet vetë. Nëse nuk merren masa do të marrim ne në mënyrë private, siç e zgjidhën ata me fëmijët tanë”, tha babai i të plagosurit”.
“Ne jemi Komshi me Martinin dhe fëmijët njiheshin që të vegjël, ishin dhe në stërvitje bashkë dhe gjithmonë i merrja unë te dy. Ata ishin të pandarë dhe ishin si vëllezër dhe përveç sportit merreshin dhe me not”.
“Unë kam folur me Luisin për ngjarjen, dhe ai mban mënd vetëm pjesën e konfliktit, dhe ai ka shkuar atje sepse e ka kërkuar Martini i cili i ka thënë djalit tim që më ka goditur një person i madh në moshë”, thotë babai i Luisit.
“Luisi nuk është më mirë, por nga reanimacioni ka dalë, por është akoma në stres e në panik, goditjet janë shumë të thella, krahun e majtë pothuajse e ka të paralizuar, po i bëjmë fizioterapi në mënyrë private se nga spitali nuk po na ofrojnë asgjë, as piskolog as fizioterapi. Mjekët na kanë thënë që nuk do ketë ndërhyrje të dytë deri sa të shohin gjëndjen në vazhdim. Thika i ka prekur dhe mëlçinë dhe djali është në intubim dhe po presim mos përmisohet. Për momentin po e mbajmë aty por po e mendojmë ta çojmë jashtë se nuk e di se sa kohë do të duhet që me pesë plagë në trup të bëhet ai që ka qenë”, tha babai i Luisit në Euronews Albania.