Jazz dhe poezi në Katedrale, Eda Zari: Të duam muzikën dhe identitetin tonë
October 30, 2022Eda Zari, shënon premierën e albumit ‘Palimpsest’ në Tetorin Gjerman. Mbrëmjen e së premtes Katedralja Ortodokse pushtohet nga poezia e jazi, e gjitha me muzikë live. Jam e infektuar thotë këngëtarja, nga Lasgush Poradeci, ndërsa i dhuron të pranishmëve, emocione edhe në gjermanisht me Heinrich Heine.
‘Është një trinitet që erdhi tek unë, pra më gjeti mua prej kohësh. Është një gjë e bukur kur ndodhesh në një udhëtim të kësaj natyre, me fjalën me tingullin me ritmin. E më pas me dy poetë që janë aq të mrekullueshëm, fjala e Lasgush Poradecit dhe fjala e Lasgushit e përkthyer në tekstet e Heines.’- tha Eda Zari.
Këtë rrugëtim muzikor, Eda Zari e ndan me të birin, i cili është bashkëkompozitor i albumit. Henning Jung, mungon në skenë mes bendit për shkak të covid-19. Eda thotë, se e ndjen mungesën e tingullit të tij, ndërsa tregon raportin me të si nënë e kolege.
Nuk mund të rrijë pa ndalur tek muzika tradicionale dhe publiku e shoqëron me një iso të lehtë.
Gjithmonë shohim kultura të tjera që me po aq lavdi lëvdojnë muzikën e tyre, kulturën e tyre dhe nuk ka pse mos e bëjmë ne. Gjithmonë është mirë të marrin nga gura e asaj muzikës së mirëfilltë ato motive, lajkmotive, ato tema muzikore ritmike, meloritmike. Sepse asgjë nuk është më e mirë dhe e vyer, ndaj mbajeni më mirë identitetin, sepse ajo është një kartëvizitë e mirë. Muzika popullore shqiptare gëzon dhe besoj do të gëzoj në formën e saj, në vërtetësinë e saj respekt dhe do të krijojë vëmendjen edhe do të thithë vëmendje edhe nga publiku ndërkombëtar, Ndaj hajde ta duam çik më shumë veten, muzikën, kulturën, të duhemi mes nesh një çik më për sëmbari!’- përfundoi artistja. /report TV