“Jetonte në konvikt”, Zhani Ciko: Një vizë italiane, kjo ishte ndihma që më kërkoi Parashqevi Simaku

“Jetonte në konvikt”, Zhani Ciko: Një vizë italiane, kjo ishte ndihma që më kërkoi Parashqevi Simaku

December 21, 2024 0

Maestro Zhani Ciko në emisionin ‘Kjo Javë” në News24 u shpreh se Parashqevi Simaku mund të rikthehet si këngëtare, por edhe si aktore. Ciko tha se kur të shplodhet, Parashqevi Simakun mund ta shohim jo thjesht si këngëtare,por edhe si një aktore.

“Ajo mund të jetë edhe një aktore, mund të xhirojë një film të sajin, për historinë e saj, por edhe të këndojë këngët e repertorit të saj, ose këngë të reja”, tha Ciko.

Dhe përsa i takon komenteve të fundit mbi Parashqevi SImakun, Ciko tha se janë disa njerëz që kanë marrë flamurin e atyre që njohin gjithçka, që dinë çfarë ndodh mbi jorgan dhe nën jorgan.

“Më lëndojnë kur lidhin Parashqevinë me gjithë Sigurimin e shtetit apo shtetin e asaj kohe. Duket sikur Sigurimi apo shteti i asaj kohe, ishte në shërbim apo në mbështetje të Parashqevisë. Nuk është kështu, të mos i hiperbolizojmë gjërat kur s’janë ashtu”, tha Ciko.

Ciko tha se në atë kohë fjala ikonë nuk përdorej, nuk ishte fare në fjalor.

“Mund të quhej ylli i këngës, e ndjente këngën”, tha Ciko.

Duke kujtuar rikthimin e saj pas largimit drejt SHBA, Ciko tha se ajo mori pjesë në festivalin e 35-të, pati një lloj snobizmi, por u përpoq që të sillte atë repertorin e muzikës amerikane.

Ciko tha se Parashqevia këndonte shumë bukur këngët popullore, por nuk donte këtë lloj muzike.

“Ajo duhej të shkonte në atë restorantin që ishte Agim Krajka, por nuk donte muzikën popullore, megjithëse i këndonte shumë bukur.

Pati shumë thashetheme për jetën e saj, u tha në atë kohë që shkonte deri në Maqedoni dhe nuk vinte në Shqipëri.

Divorci ka ndikuar në marrëdhëniet emocionale të Parashqevisë. Raporti me djalin është një libër i verdhë, por janë përjetime që gjithkush i kalon në forma të ndryshme.

Nuk kemi pasur të dhëna reale se çfarë ka ndodhur”, tha Ciko.

Ai u shpreh se artiste si Parashqevia dhe të tjera, mund të realizojnë atë që mundin. “Kemi plot raste kur shkëlqimi ka ndodhur edhe pa zërin e freskët. Kemi divën tonë, Vaçe Zela, e cila shkëlqente edhe kur nuk e kishte zërin e freskët. Kemi Edith Piaf që shkëlqeu jo kur ishte e re”, tha Ciko, duke theksuar se do të angazhonte direkte në punë Parashqevi Simakun

Ciko solli në vëmendje motrat Libohova, Irma dhe Eranda, por edhe Lindita Kondakçi. Gjithsesi mjeshtri i madh tha se Parashqevia ishte një vajzë që kishte ambicie.

“Parashqevia ishte shumë e zgjuar, kishte një fjalor shumë të edukuar, fin dhe elegant”, tha Ciko.

Ciko rrëfeu se Parashqevia nuk ka marrë pjesë në festivalin e parë që ai organizoi në RTSH, për shkak se në atë kohë sapo kishte përfunduar recitalin.

Ai tha se Parashqevia në atë kohë iku dhe ndihma që i kërkoi ishte t’i siguroja një vizë në ambasadën italiane.

“Më kërkoi ndihmë që t’i siguroja vizën. Donte të ikte në Itali dhe atje e prisnin të tjerë persona”, tha Ciko.

Ai tha se Parashqevia donte të ikte jashtë që të konfirmonte talentin e saj dhe në atë kohë ishte e vështirë që ti thoje që ishte e vështirë.

Ciko tha se Simaku ishte një vajzë që kërkonte të kishte një lloj mbështetje, ajo ishte një vajzë që jetonte në konvikt, që i duhej një mbështetje për të ecur, për të realizuar ato ëndrat e saj. Ciko tha se mbështetjen Parashqevi Simakut ia jepnin të gjithë.

Mjeshtri i madh tha se parashqevia ishte e lirshme dhe kjo e dallonte nga këngëtarët e tjerë.

“Në atë kohë u krijua një tandemë në muzikën e lehtë, ishte më e lirshme. Në 1990 erdha në Radio-Televizion, Parashqevia zhvilloi koncertin e parë recital që u mbajt në atë kohë, me mbështetjen e RTSH. Ky recital i bërë shumë mirë nuk pati atmosferën e duhur në publik, sepse ndodhte për herë të parë një recital, publiku nuk ishte mësuar me të tilla, në atë kohë”, tha Ciko.

revista.one/