Këngëtari vdiq duke shpëtuar të tjerët nga zjarri në diskotekën e Koçanit

Këngëtari vdiq duke shpëtuar të tjerët nga zjarri në diskotekën e Koçanit

March 17, 2025 0

Një tragjedi e rëndë goditi Maqedoninë e Veriut, ku një zjarr shkatërrues në klubin e natës “Pulse” në Koçan mori jetën e të paktën 59 personave.

Mes viktimave ishte edhe Andrej Gorgievski, një nga themeluesit e grupit të njohur hip-hop DNK.

Sipas dëshmitarëve, Gorgievski fillimisht arriti të dilte nga ndërtesa në flakë, por u kthye brenda për të shpëtuar të tjerët.

Fatkeqësisht, një pjesë e tavanit u shemb mbi të, duke e bllokuar bashkë me dhjetëra persona të tjerë, përfshirë edhe të mitur që kishin ardhur për koncertin.

Ai la pas një familje të pikëlluar dhe vajzën e tij dhjetëvjeçare, Janën. Trupi i tij u identifikua nga gruaja dhe nëna e tij, përpara se të dërgohej për autopsi.

I lindur dhe rritur në Shkup, Andrej Gorgievski ishte një nga figurat kryesore të muzikës hip-hop maqedonase. Ai e themeloi DNK në fillim të viteve 2000 së bashku me Vladimir Blažev (Panço), i cili i mbijetoi zjarrit por ndodhet në spital me djegie të rënda

Gorgievski ishte autor i shumë hiteve të DNK, një grup i njohur për temat sociale, miqësinë dhe dashurinë në tekstet e tyre. Disa nga këngët më të njohura të grupit janë Fala, Ako utre me nema, Srce, Amajlija dhe Romani.

Këngëtarja e njohur maqedonase Kaliopi i kushtoi një postim prekës në rrjetet sociale: “Andrej… Zemra ime po copëtohet. Humanizmi yt shkëlqeu edhe në çastet e fundit, duke shpëtuar jetë. Nuk duhej të ishte kështu… Ndihem e pikëlluar dhe e zemëruar”.

Tragjedia preku edhe anëtarë të tjerë të grupit DNK. Përveç Andrejit, u konfirmua vdekja e tastieristit Filip Stefanovski, kitaristit Aleksandar Kolarov, bateristit Gorđi Gorđiev dhe vokalistes mbështetëse Sara Projkovska. Mes viktimave ishin gjithashtu beatboxeri Martin Atanasovski (Martin Buco) dhe Igor Velkov, një tjetër baterist i grupit.

Vladimir Blazev – Panço, anëtari i njohur i grupit hip-hop DNK, ndodhet në respirator në Qendrën Klinike të Shkupit pasi pësoi djegie në fytyrë dhe dorë gjatë një koncerti në një diskotekë në Koçan të Maqedonisë së Veriut.

Lajmin e ka konfirmuar motra e tij, Jadranka Nikolovska, e cila u shpreh: “Për momentin di që nuk është në rrezik për jetën, por gjendja e tij mbetet e rëndë. Nuk kam ende informacion për Andrej dhe anëtarët e tjerë të grupit”.

Grupi DNK, i themeluar në fillim të viteve 2000 nga Vladimir Blazev – Panço dhe Andrej Gjorgjev, është një nga grupet më të njohura hip-hop/r’n’b në rajon. Ata janë të njohur për tekstet emocionale dhe muzikën e tyre me një tingull modern urban. Këngët e tyre shpesh trajtojnë histori dashurie, realitetin e përditshëm dhe çështje sociale që prekin të rinjtë.

Panço, përveçse është frontmeni i grupit, është edhe DJ, producent dhe themelues i SureShotz Entertainment, një agjenci që ka sjellë artistë dhe DJ të njohur nga Ballkani dhe më gjerë.

Tragjedia e zjarrit në Koçan
Zjarri shpërtheu gjatë koncertit në një diskotekë në qytetin e Koçanit, rreth 100 km nga Shkupi.

Flakët përfshinë tavanin dhe çatinë e ndërtesës, duke shkaktuar një situatë kaotike me të rinj që përpiqeshin të shpëtonin.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, deklaroi se mes të plagosurve ka edhe të mitur në gjendje kritike dhe do të vihet në dispozicion një numër zyrtar për informimin e familjarëve.

Pesë anëtarë të grupit DNK humbën jetën, përfshirë këtu Andrej Gorgievski, një nga themeluesit e grupit.

revista.one/