Koki Surle, djaloshi nga Gjilani që po pushton rrjetet sociale me instrumentin tradicional
June 21, 2021Kur shumë kush i ka harruar instrumentet tradicionale, një djalosh i ri nga Gjilani ka menduar të rikthejë në modë.
Kushtrim Jetishi nga Gjilani i njohur me emrin artistik si Koki Surle, ka arritur kulmin e famës me instrumentin tradicional surle.
Koki Surle është duke jetuar dhe vepruar në shtetin zviceran, derisa ka arritur mbi 50 mijë ndjekës në rrjetin social Instagram falë videove që poston.
Ai i bën remix hitet më të mëdha të këngëve shqip, por edhe ndërkombëtare me instrumentin surle.
Remixi i tij i fundit është i këngës së Dhurata Dora feat Gims – Only You.
Por kjo nuk është kënga e vetme që Koki ka bërë remix me Surle. Këngët tjera që janë bërë remix nga artisti i talentuar janë edhe hitet tjera si ajo e Fifit – ‘Zogo’, Tayna – ‘Moona’, e këngë të artistëve të tjerë si Azet, Don Xhoni, Mozzik e të tjerë.
Përveç që bën remix të ndryshëm dhe i poston në profilin e tij në Instagram, Koki është shumë i kërkuar.
Ai shpesh herë poston në rrjetet sociale datat ku do të jetë nëpër mbrëmje të ndryshme në Kosovë e diasporë, por që është shumë i kërkuar edhe nëpër dasma, pasi atmosfera me këtë instrument bëhet jashtëzakonisht e nxehtë.
Koki me surlen e tij të famshme tanimë, po tregon se edhe me instrumentet e vjetra dhe tradicionale mund të arrish të ndërtosh një karrierë, mjafton të kesh vullnet dhe të punosh. /Telegrafi/