Konkurrentja e “She’s On Top” rrëfen betejën me diabetin: Duhet të marr 4 herë në ditë…
June 29, 2025E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Antonela Metalia, një nga konkurrentet e “She’s On Top”. Ajo ka rrëfyer eksperiencën e saj në këtë garë, si po e sheh konkurrencën, por duke u ndalur pak edhe tek sfida e saj e të qenurit me diabet…
Pjesë nga intervista:
Historia jote e treguar në “She’s On Top”, ku tregove se je diagnostikuar me diabet në moshën 12-vjeçare përloti studion dhe publikun. Si kanë qenë këto 12 vite për ty?
Nuk është e thjeshtë. Diabeti nuk është një sëmundje siç mendohet nga shumica. Kur ti thua që je me diabet, konsiderohet sikur nuk është diçka aq e rëndë, se duhet të mbash një dietë. Në fakt nuk është vetëm aq. Ti mund të mbash dietën, mund të jesh i rregullt, por mund të ketë një moment që nuk shkon mirë dhe ai moment mund të bëjë që ti të futesh akoma në gjendje më të rëndë. Pra, nuk është aq e thjeshtë sa mendohet. Arsyeja që unë e kam thënë, është e para për informacion, që nuk janë vetëm moshat e mëdha, ka shumë si unë, njoh shumë fëmijë me diabet. Por e kam thënë dhe për motivim, se e kam ndier edhe unë veten të dobët në shumë momente. Kam thënë shumë herë që këtë nuk e përballoj dot fizikisht, edhe pse kam menduar që mund ta bëj shumë mirë, kam menduar fizikun tim dhe jam tërhequr. Por tani e mendoj ndryshe. Pavarësisht nëse e përballon apo jo, bëj aq sa mundesh.
Si konsiston trajtimi i personave me diabet?
Duhet të kesh një korrektësi të fortë, në ushqim, në orar, në bërjen e insulinës. Gjithçka duhet të jetë e kombinuar, duhet të jetë me orar. Unë e quaj shkencë më vete, është llogari. Ndërkohë që unë flas me ty, bëj dhe llogaritë sa e kisha sheqerin para se të nisja, sa insulinë bëra, në bazë të asaj sa u ushqeva, mund të kem një rënie. Pra është 24 orë llogari, edhe në gjumë e ke trurin si zgjuar. Duhet të marr 4 herë në ditë insulinë, plus rastet kur mund të kem ndonjë ngritje dhe mund të marr ekstra, por që 4 herë janë me patjetër. /TAR/