Kosova me fitore historike në Gjeorgji për kualifikueset e Kampionatit Botëror

Kosova me fitore historike në Gjeorgji për kualifikueset e Kampionatit Botëror

September 2, 2021 0

Kosova ka fituar ndeshjen e parë në historinë e saj si nacionale në kualifikime për një Botëror. Ajo ka mposhtur në Batun Gjeorgjinë me rezultat minimal 0-1. Goli i vetëm në këtë ndeshje u shënua në minutën e 18-të dhe ishte një autogol i Davit Khocholava. Kjo fitore e vendos Kosovën në vendin e tretë në Grupin B të kualifikimeve për Katar 2022.

Pjesa e parë e ndeshjes filloi shumë më mirë për Kosovën ku Lirim Kastrati pati një depërtim të mirë që në minutën e parë të ndeshjes. 

Kosova pati një rast të mirë edhe në minutën e 13-të, kësaj radhe Elbasan Rashani depërtoi shumë mirë në zonë, por psimi për Vedat Muriqin nuk ishte i saktë. Kurse goditja e Valon Berishës u bllokua nga mbrojtësit e Gjeorgjisë.

Pas këtij rasti Kosova do të vinte te goli. Hadërgjonaj do të depërtonte mirë në krahun e majtë, por krosimi i tij do të bllokohej fillimisht dhe më pas ai do të pasonte për Valon Berishën. Ky do të krosonte për të Muriqi i cili goditi topin me kokë dhe është devijuar nga Khocholava në rrjetën e tij.

Pas këtij goli Kosova pati edhe një mundësi të mirë për të shënuar, por krosimi i Lirim Kastratit nuk ishte i saktë për Vedat Muriqin. 

Në pjesën tjetër të ndeshjes Gjeorgjia sulmoi vazhdimisht, por Kosova arriti që të mbrohet mirë. 

Deri në fund të ndeshjes Kosova pati edhe dy dalje përpara, por që nuk arriti që të shënojë gol. 

Fillimi i pjesës së dytë prapë ishte më i mirë për Kosovën. Vedat Muriqi do të rrezikonte në minutën e 48 por goditjen e tij e priti portieri Loria. 

Lirim Kastrati e pati shansin ideal në minutën e 64-të të ndeshjes, por nuk arriti që të shënojë edhe pse ishte ballë për ballë portierit Loria. 

Bytyqi do të kishte një rast tjetër për të shënuar gol, por gjuajti jashtë. 

Kosova do të shënonte në minutën e 86-të edhe një gol tjetër, por VAR do ta cilësonte atë në pozicion jashtë loje. 

Këto janë pikët e para të fituara të Kosovës për kualifikime në një Botëror. Me këto pikë ekipi ngjitet në vendin e tretë të Grupit B duke lënë pas Greqinë dhe Gjeorgjinë.

revista.one/