Kosova rikthen nesër kufizimin e  lëvizjes, viti shkollor shtyhet deri më 13 shtator

Kosova rikthen nesër kufizimin e lëvizjes, viti shkollor shtyhet deri më 13 shtator

August 28, 2021 0

Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga data 29 gusht (e diel) të hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID, duke rikthyer sërish kufizimin e lëvizjes, shtyrjen e fillimi të vitit të ri shkollor dhe shkurtimin e orarit të punës së gastronomisë.

Në mbledhjen e mbajtur sot u vendos që fillimi i vitit të i ri shkollor të shtyhet deri më 13 shtator, ndërsa ora policore do të jetë nga 22:00 deri në 05:00.

Sa i përket lokaleve hoteliere, restoranteve dhe kafeneve do të punojnë deri në orën 21:30 dhe në ambientet e hapura. Të gjitha institucionet publike dhe private janë të detyruara të punojnë me staf esencial deri më 13 shtator.

Të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë në pikë- kalimet kufitare duhet të paraqesin dokumente përkatëse, siç janë dëshminë e vaksinimit, testit PCR të bërë në 72 orët e fundit, ose testin serologjik jo më të vjetër se 30 ditë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se masat kundër pandemisë i ndërmarrin konform situatës epidemiologjike në vend.

“Tani kur situata u përkeqësua jemi të detyruar të marrim masa kufizuese që kanë për qëllim ndërprerjen sa më të shpejtë të rritjes së trendit të infektimit. Jemi të detyruar ta shtyjmë fillimin e fitit të ri shkollor”, tha kryeministri Kurti.

Po ashtu, kryeministri shtoi se janë të detyruar që të zvogëlojnë qarkullimin e njerëzve.

“Duhet ta zvogëlojmë edhe qarkullimin e njerëzve, jemi të bindur që masat që po marrim sot janë të mira në raport me qëllimin”, tha Kurti.

Në 24 orët e fundit janë 18 viktima mes të cilëve edhe një vajzë 20 vjeçe e cila ndërroi jetë brenda një jave nga vdekja e të atit për shkak të Covid. Ndërkohë janë regjistruar 1.891 raste të reja ndërsa janë kryer 13 mijë testime. Në 24 orët e fundit janë vaksinuar 15.967 persona. Në gjithë Kosovën janë 25 797 raste aktive.

revista.one/