“Kur të shoh që rritesh, ndiej…” Bes Kallaku, dedikim për vajzën

“Kur të shoh që rritesh, ndiej…” Bes Kallaku, dedikim për vajzën

July 12, 2024 0


Aktori i njohur Bes Kallaku, ka emocionur ndjekësit e tij në Instagram me një dedikim të ndjerë për vajzën e tij Ajkën, e cila feston ditëlindjen e saj të 6-të. Në mesazhin e shkruar Besi duket shumë i prekur ai flet për sprovat e jetës dhe vitet që ikin pa u kuptuar.

“Urime 6-vjetorin e lindjes Ajka e tokës, Ajka qiellit, dritë e hënës, dritë e diellit! Gëzuar gjashtë vjetorin o lule e bukur e gjakut tim! Njeriu nuk e ndien ikjen e viteve nëpërmjet vetes, por nëpërmjet rritjes së fëmijëve. Kur të shoh që rritesh, ndiej ikjen e viteve, por jo edhe humbjen e tyre. Jeta është krejt surpriza, krejt të papritura, apo siç thonë poetët, erërat nuk fryjnë gjithmonë siç duan barkat, por pikërisht këtu qëndron edhe fuqia e përballjes me sprovat. Kur ti i kërkon Zotit të të japë fuqi, duhet të dish se Ai do të të përballë me sprovat nëpërmjet të cilave do ta dëshmosh fuqinë e Tij. Kur njerëzit janë të gëzuar, duken të gjithë njëlloj, dhe është pikërisht sprova ajo që do t’i dallojë. Nuk të premtoj gjithçka, por në gjithçka do të jem pranë teje dhe Amenit. Ashtu siç isha dhe jam përfillës për secilin rreth meje, do të jem edhe për ju, veçse juve do t’ju kem edhe kur s’do të jem. Ju dua me fuqinë e një mijë diejve. Paçi Bekimet Hyjnore jastëk ëndrrash dhe zgjimesh! Me dashuri, babi Bes!”- përfundon aktori.

Ndjekësit nuk janë përmbajtur dot nga ky postim i shkruar me kaq dashuri dhe kanë shprehur në koment fjalët më të mira për Besin duke i uruar vite të lumtura edhe vajzës së tij.

Kujtojmë që Besi dhe këngëtarja e njohur Xhensila Myrtezaj, janë ndarë muaj më parë nga njëri-tjetri për shkaqe të cilat ish-çifti nuk i ka ndarë akoma me publikun.

revista.one/