Lisi tregon lojtarët më të fortë : Ka një logjikë të frikshme…

Lisi tregon lojtarët më të fortë : Ka një logjikë të frikshme…

February 15, 2024 0

Mëngjesin e kësaj të enjte ishte i ftuar në emisionin “Wake Up”, Elvis Myrta, i eliminuari i fundit i shtëpisë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP 3”.

Gjatë kësaj interviste, ish-banori foli për eksperiencën e tij në këtë reality show si dhe dha mendimet e tij rreth banorëve të tjerë.

Duke folur rreth rrugëtimit të tij në këtë edicion të tretë të BB VIP, gazetari u shpreh se u mësua shpejt brenda shtëpisë më të madhe në Shqipëri.

“Duke qenë se nuk jam fotozhenik, nuk jam marrë me kamerat. Edhe ata që më menaxhonin rrjetet sociale më thonin ‘si nuk dole pak para kamerave të të bënim foto’. Kam qenë pa komplekse, i vërtetë, edhe vetë e thoja ‘jam me pushime’. Tre javët e para e kam shijuar vërtet, nuk kam ndjerë asnjë lloj presioni edhe pse ishte shumë i madh. Ishte një eksperiencë shumë e bukur, por nuk do e bëja prapë. Nuk do e bëja më tek Big Brother VIP 4, 5 apo 6, por në këtë “Big” nëse më jepej mundësia do të rihyja. Kam ca pengje”, tha Elvisi.

Kur Myrta u largua nga BB VIP i la Romeo Veshajt një porosi, që të mos merrej me Graciano Taganin pasi nuk është ai objektivi. I pyetur se cili është objektivi i aktorit, ish-banori u shpreh:

“Ka disa lojtarë të tjerë të fortë. Romeo është një nga pretendentët kryesorë për të fituar, por Gracianon nuk e shoh si lojtar të fortë, nuk duhet të përqendrohet tek ai. Juli është i fortë, Ilnisa nuk është konkurrente e fortë, mund të shkojë deri në finale por që jo për të fituar. Erjola ka një logjikë shumë të mirë dhe nëse futet në lojë do i hapë punë lojtarëve të tjerë. Ka një logjikë të frikshme. Erjola me 2-3 fjalë i vinte me shpatulla pas murit, sidomos Ilnisën për shembull. Nuk e di si duket nga jashtë, por ajo është shumë e fortë”.

I pyetu se si i sheh Romeon dhe Heidin si çift, ish-banori u përgjigj:

“Ata të dy duhen dhe kjo punë ka marrë fund (qesh). Kanë një marrëdhënie më të sinqertë se dy çiftet e tjera. Kanë një kimi bashkë, e kuptojnë me sy njëri-tjetrin, kanë një pëlqim të vërtetë për njëri-tjetrin”.

Ndërsa në lidhje me çiftin Sara-Bardhi, Elvis Myrta u shpreh:

“Bardhi është e sigurt që nuk luan. Është super i vërtetë, ka super karakter. Edhe në pjesën e debatit që e komentuan se pse ai po hante makarona, ai ka pasur merakun e Meritonit, nuk do të përzihet për shkak të marrëdhënies shoqërore me Meritonin. Duket në publik sikur Sara e shikon për lojë, por unë e kam parë vetë që pasi ka mbaruar një ‘prime’, Bardhi ka marrë mikrofonin për të kënduar vetë dhe e kam parë Sarën shumë të prekur, të emocionuar. Ka një pëlqim të vërtet”.

Por kaq fjalë të mira nuk ka për çiftin Ilnisa-Meriton, pasi sipas ish-banorit të BB VIP 3, ata të dy janë për lojë.

“Janë të dy për lojë. Nuk i shoh si çift e nuk i shoh fare të përfshirë. Ishte dashuri me shikim të tretë, se ditën e tretë u lidhën”, tha Myrta.

revista.one/