Liverpool falënderon Dua Lipën për koncertin në “Anfield”
June 28, 2025Klubi i njohur anglez, Liverpool FC, ka falënderuar këngëtaren shqiptare me famë botërore Dua Lipa, pas koncertit të saj madhështor në stadiumin “Anfield”, në kuadër të turneut të saj “Radical Optimism”.
Përmes një postimi zyrtar në rrjetet sociale, klubi shkroi: “The Reds Dua Lipa”
Faleminderit që e sollët turneun tuaj Radical Optimism në shtëpinë e kampionëve të Premier League!”
Dua Lipa dhe Liverpool kanë një lidhje të veçantë që nga performanca ikonike e saj në finalen e Champions League në vitin 2018, e cila mbetet një nga momentet më të dashura për tifozët e “The Reds”.
Koncerti në Anfield ishte pjesë e një turneu botëror që po merr vlerësime të larta, dhe për shumë fansa ishte një natë e paharrueshme nën tingujt e muzikës dhe atmosferës elektrizuese të stadiumit legjendar.

Në çdo qytet që viziton, këngëtarja shqiptare zgjedh të nderojë artistët vendas – qoftë duke kënduar një prej këngëve të tyre, apo duke ftuar ata vetë në skenë. Dhe në Liverpool, zgjedhja ishte thuajse e pashmangshme.
Në mbrëmjen e së mërkurës, para 60 mijë fansave në stadiumin Anfield, Dua u ndal për një moment dhe u shpreh: “Çdo natë në këtë turne kam kënduar një këngë të ndryshme nga një artist lokal. Dhe nuk mund të vija në Liverpool pa kënduar këtë këngë”.
Më pas, ajo i dhuroi turmës një interpretim mbresëlënës të klasikës së pavdekshme të Beatles, “Hey Jude”. Video të publikuara në Instagram treguan gjithë stadiumin duke kënduar me të në kor fundin legjendar të këngës: “Na na na, hey Jude”.
Performanca e saj ishte më shumë se një homazh muzikor. Ishte një moment i veçantë për këngëtaren, e cila i tha turmës: “Ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja të performoj këtu. Faleminderit që ma bëtë të mundur”.
Dua ka një lidhje të veçantë me qytetin, pasi hiti i saj “One Kiss” është kthyer prej vitesh në një himn jozyrtar të klubit Liverpool FC. Ajo interpretoi edhe këtë këngë, duke ngritur entuziazmin e tifozëve në maksimum.
Turneu Radical Optimism vazhdoi me ndalesën e radhës të premten, në Dublin, Irlandë.



revista.one/