Marrëveshje në Bruksel: Serbia pranon reciprocitetin për targat, makinat e Kosovës do të kalojnë me afishe
September 29, 2021I dërguari nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesit e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për të diskutuar rreth temës së veriut.
Marrëveshja është arritur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, mirëpo të dyja delegacionet, ai i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pas takimit në Bruksel ka bërë të ditur se sipas dakordimit që kanë pasur më palën serbe, pritet që barrikadat të hiqen të shtunën dhe Njësinë Speciale në veri ta zëvendësojnë njësit të KFOR-it.
Ai tha se marrëveshja ka paraparë tri elemente kryesore.
“Elementi i parë nga dita e hënë si Kosova dhe Serbia do të përdorë stikersa, afishe në vend të tabelave, kjo ka qenë synimi ynë që të kemi trajtim të barabartë, mirëpo kjo zgjidhje do të jetë e përkohshme sepse do të formohet një grup punues që brenda gjashtë muajve ta gjej zgjidhjen e përhershme për lëvisje të lirë të automjeteve”, u shpreh Bislimi para medieve.
Pika e tretë e këtij dakordimi ka të bëj me heqjen e barrikadave në pikat kufitare Jarinë e Bërnjak.
Bislimi theksoi se sipas asaj që janë dakorduar pritet që të shtunën të hiqen barrikadat.
“Dhe pika e tretë ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadës në Jarinë dhe Bërnjak. Sipas marrëveshjes të shtunën do të vendoset KFOR-i lartë, dhe pas disa orësh KFOR-i do të zëvendësoj Njësinë Speciale të cilët do të tërhiqen paralelisht me barrikadat”, tha Bislimi pas takimit atje.
I dërguari nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesit e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për të diskutuar rreth temës së veriut.
Bislimi ka njoftuar se është arritur një marrëveshje sa i përket targave.
“Kemi tentuar të detyrojmë Serbinë që ti largojë procedurat për qytetarët e Kosovës që të lëvizin drejt Serbisë. Dhe mendoj qe ky ka qenë rezultati i sot, mund të themi që është një marrëveshje”, tha ai.
Tutje Bislimi shtoi se, ”Natyrisht që ne do të preferonim që mos të ketë asnjë barrierë dhe këto dy shtete sot të njohin në tërësi tabelat e vendeve tjera, ky do jetë edhe objektivi kryesor i grupit punues të cilin do ta themelojmë dhe i cili do të fillojë të takohet që nga data 21 tetor”.
“Ne kemi dakordim për të gjitha pikat. E vetmja pikë ku pala serbe ende nuk e ka dhënë pëlqimin ka të bëjë me veturat që kanë targa (KM – për Mitrovicën e Veriut), për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhet të aplikoheshin stikersat, dhe mendoj që kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale”, u shpreh Bislimi në një lidhje direkte për RTK.
Por, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë nuk ka përfunduar ende.
Në një shkri në Twitter, Stano ka thënë se negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.
revista.one/