“Me gjak jam shqiptare. Me shtetësi, indiane. Me besim, Katolike. Sipas profesionit, i përkas botës. Zemra ime i përket Jezusit”

“Me gjak jam shqiptare. Me shtetësi, indiane. Me besim, Katolike. Sipas profesionit, i përkas botës. Zemra ime i përket Jezusit”

September 5, 2022 0

 Më 5 shtator 2016, botës i shtua një shenjtor, ajo është Nënë Tereza, sot Shenjta Terezë. Sot është dita e shenjtërimit të saj, ku në një ceremoni madhështore vite më parë në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhërin e saj të murgeshave të quajtur Misionarët e Bamirësisë.

Nga ky moment Nënë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Urdhëri i Nënë Terezës numëron mbi 4000 misionarë dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën. Ajo ka thënë se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.

Nënë Tereza udhëtonte për të kryer misionin e saj me një automjet gjysmë të shkatërruar. Kur Papa Pavli VI kryente një vizitë në Indi në 1964 i dhuroi asaj limuzinën e tij. Ajo e shiti atë për të siguruar fonde për koloninë e lebrozëve, të cilët i ndihmonte.

Liderë nga e gjithë bota e kanë vizituar atë. Ish-kryeministri i Indisë, Indira Gandi, pas takimit u shpreh se: “Të takosh Nënë Terezën do të thotë të përjetosh ndjenjën e inferioritetit dhe atë të pushtetit të madh të mirësisë dhe të fuqisë së dashurisë”.

Ajo vazhdoi me vetmohim të predikonte mesazhin e saj të dinjitetit njerëzor dhe respektit për çdo qenie njerëzore të lindur apo jo.

Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?

Nënë Tereza ka edhe shtëpinë e të parëve të saj në Tiranë. Një shtëpi dykatëshe, e rrethuar me kopësht, ndërtuar bri Kishës Katolike në kryeqytet, për më tepër se 17 vjet ka qenë selia e nënës, motrës dhe vëllait të Nënë Terezës.

Me kalimin e viteve, ajo nga Gonxhe u bë Madre Tereza, e njohur në të gjithë botën dhe e dhënë për të gjithë botën.

revista.one/