Me vilë te ‘Rolling Hills’ dhe pasuri 3 milionë euro, ish-burri i saj në kërkim për shfrytëzim prostitucioni

Me vilë te ‘Rolling Hills’ dhe pasuri 3 milionë euro, ish-burri i saj në kërkim për shfrytëzim prostitucioni

September 29, 2025 0

Një vilë 2 katëshe në një prej zonave më luksoze dhe të lakmuara të Tiranës, “Rolling Hills”, në pronësi të noteres 35-vjeçare, Sanja Telhallari, është në mesin 18 pasurive me vlerë 3 milionë euro, të sekuestruara nga Prokuroria e Tiranës, mbi dyshimet se rrjedhin nga aktivitetet kriminale. E vendosur mes vilave të tjera, kjo pronë bie në sy për luksin, e pajisur me pishinë dhe facilitete të tjera rreth e përqark.

Përveç saj, përmes operacionit “Nënshkrimi” u sekuestruan edhe 12 prona të tjera të paluajtshme, kryesisht apartamente dhe biznese në Tiranë, si dhe 5 llogari në banka të nivelit të dytë. Vetëm para nëpër banka, noteres së luksit iu gjetën dhe sekuestruan të paktën 200 mijë euro, po ashtu të ardhura krimi.

Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave pranë Policisë së Tiranës nisi hetim për Telhallarin pas një ngjarje të ndodhur në zonën e Astirit më 15 gusht 2023, në tentativën për vjedhjen e makinës së saj të luksit, “Mercedes Benz G Class”, teksa ajo ishte në një kafe.

“Në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar në Prokurorinë e Tiranës, me objekt gjurmimin e aseteve kriminale, të dyshuara të përfituara nga shtetasja S. T., 35 vjeçe, banuese në Tiranë, gjatë kryerjes së detyrës si notere, Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale finalizoi operacionin “Nënshkrimi”. Në vijim të veprimeve procedurale, të kryera në kuadër të këtij procedimi, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për ekzekutimin e 18 pasurive të 35-vjeçares, me vlerë 3 milionë euro, konkretisht 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare”, njoftoi Policia e Tiranës.

Nga hetimi në vijim rezultoi se gjatë 11 viteve të fundit, nga 2013-a deri në 2024-ën, Sanja Telhallari, ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e këtyre pasurive të paluajtshme, apartamente, dyqane, vende parkimi dhe vilën në kompleksin “Rolling Hills”.

Investimet e saj vijuan në makina të shtrenjta, të cilat nuk justifikoheshin nga të ardhurat ekonomike prej punës si noterë. Verifikimi çoi në mospërputhje të dukshme mes të ardhurave të ligjshme dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Prokuroria dyshon se një pjesë e parave të përdorura për e pasurive të saj, sot të sekuestruara, janë të ardhura të paligjshme të ish-bashkëshortit, Klodian Porja, i cili rezulton në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dënuar me 21 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni.

“Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim”, tha Prokuroria.

Autoritetet dyshojnë se në pronësi të Sanja Telhallarit janë edhe disa prona të tjera në jug të vendit, me kontratë pronësi dhe jo certifikatë në emër të saj, të cilat po verifikohen dhe në vijim mund të ketë vendim sekuestro. Prokuroria thotë se sekuestrimi i këtyre pasurive bëhet me qëllim ruajtjen e tyre hetimit dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për të fshehur origjinën e paligjshme.

Telhallari, e cila rezulton të ketë ndryshuar edhe emrin vite me parë, duke e bërë nga Sonja në Sanja, shpesh shihej në rrjet duke reklamuar gjërat e saj luksoze. Disa muaj më parë, Sanja Telhallarit i është grabitur vila e saj në “Rolling Hills” nga persona ende të paidentifikuar. Burime pranë policisë konfirmojnë se noterja milionere ka bërë denoncim, ku ka pretenduar se i janë marrë të paktën 3 çanta me sende me vlerë dhe para, por pa dhënë detaje të plota të shumave. Mediat kohë më vonë shkruanin se autorët e grabitjes dyshohet të kenë pasur dijeni të plotë për sendet me vlerë, dhe besohet se i janë marrë të paktën 500 mijë euro, ora luksoze të markave Rolex dhe Breitling, çanta të shtrenjta, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë qindra mijëra euro.

Të gjitha pasuritë dyshohet se janë blerë me para të gjeneruara nga aktiviteti i paligjshëm i familjes Telhallari, përfshirë paratë me fajde, lojërat e fatit dhe transaksionet e dyshimta.

Së fundmi, më 29 prill të këtij viti, babai dhe vëllai i saj, Arjan dhe Lorenc Telhallari, u bënë pjesë e një sherri ku u përdorën armët pranë zyrës elektorale të PSD-së në “Ali Dem”, pas një konflikti për kontrollin e llotove. Për këtë ngjarje, gjykata liroi Lorenc Telhallarin, 24 vjeç, duke konsideruar se nuk kreu vepër penale, ndërsa i ati Arjani u la në “arrest shtëpie” për kanosje dhe armë pa leje.

Njoftimi i prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë sekuestron pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetases Sanja Telhallari me profesion notere si dhe të familjarëve të saj.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, 35-vjeçarja ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në një kompleks. Në total janë evidentuar 13 pasuri të paluajtshme, me vlera të larta monetare si dhe llogari të shumta bankare.

Kjo shtetase ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.

Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim.

Vendosja e masës së sekuestros preventive synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme. Prokurori i çështjes ishte Ndini Tavani, teksa vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara.

E kontaktuar nga media, noterja tha se vijon punën normalisht dhe se do të shprehet kur gjykata dhe prokuroria të kenë thënë fjalën e tyre. Sipas saj e shkuara e bashkëshortit nuk mund ta prekë dhe se të ardhurat si notere i ka të gjitha të ligjshme.

revista.one/