Media greke jehonë performacës së ‘Shkodra Elektronike’: Shqipëria ‘vodhi’ shfaqjen! ‘Zjerm’, trend në rrjete sociale
May 14, 2025Mbrëmjen e së martës, më 13 maj, skena e gjysmëfinales së parë të Eurovision 2025 në Bazel u përfshi nga flakët, në kuptimin e mirëfilltë dhe figurativ, me paraqitjen e Shqipërisë, raporton Protothema.
Shkodra Elektronike, dyshja muzikore ekscentrike, performoi këngën “Zjerm” (“Zjarr”), duke rrëmbyer përshtypjet e shikuesve.
Prania në skenë kombinoi minimalizmin elektronik me referenca të forta ndaj traditës folklorike shqiptare.
Këngëtarja Beatriçe Gjergji doli në skenë e veshur me një version modern të një kostumi tradicional.
Krahas saj, producenti Kolë Laca koordinoi ritmet elektronike që “lidheshin” në mënyrë të përkryer me motivet ballkanike.
Përdorimi i ndriçimit të kuq intensiv, tymit dhe efekteve dinamike vokale, të kombinuara me koreografinë e thjeshtë por të menaxhuar në skenë, krijuan një përvojë të veçantë që shkëputej nga rutina e zakonshme e Eurovisionit.
Publiku në stadium e duartrokiti ngrohtësisht performancën, ndërsa #Zjerm u bë shpejt një trend në mediat sociale.
Kënga, e cila ishte pëlqyer tashmë në Festivalin e Këngës, ku fitoi vendin e parë, mbetet tërësisht në gjuhën shqipe, e cila, siç deklaruan vetë artistët, “ishte një zgjedhje e vetëdijshme, për të mos humbur shpirtin e veprës”.
revista.one/