Mesazhi i Ermonela Jahos  për të rinjtë: Ndiqni ëndrrën, edhe kur është e vështirë…

Mesazhi i Ermonela Jahos për të rinjtë: Ndiqni ëndrrën, edhe kur është e vështirë…

September 15, 2021 0

Sopranoja Ermonela Jaho, aktualisht në kulmin e shkëlqimit në skenat më të mëdha botërore, ka interpretuar në skenën e Teatrit të rikonstruktuar Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Nga skena, ku nisi ëndrra e saj, ajo kujtoi fillimet dhe dha një mesazh për këdo që i vë vetes qëllime. Ishte Ermonela Jaho që ftoi në skenë legjendarin Placido Domingon, i cili mori duartrokitjet e publikut shqiptar.

“Edhe pse i vogël, por me një pasion dhe dashuri të jashtëzakonshme, këtu filloi ëndrra ime për t’u bërë këngëtare operistike. Ashtu si ato breza që na kanë frymëzuar neve, na kanë dhënë këtë shpresë, këtë forcë, uroj që ky teatër dinjitoz të japë të njëjtën shpresë, të njëjtin frymëzim, edhe brezave të rinj. Thuhet që ëndrrat janë të vështira për t’u arritur, por unë e arrita ëndrrën time, dhe ëndrra ime fillon pikërisht këtu. Sa herë me pedagogët tanë, këngëtarët e bashkëkombasit e mi, që kanë dalë nga kjo skenë, kemi folur e ëndërruar për idhujt tanë. Ishte diçka e jashtëzakonshme të kishim qoftë edhe një regjistrim të tyrin, dhe pikërisht njëri nga ata idhujt tanë, që nuk ka nevojë për prezantim, këndon në këtë skenë dinjitoze. Me pak fjalë, ftoj në skenë legjendarin Placido Domingo”, tha sopranoja, duke i lënë skenën legjendarit spanjoll, që dhuroi emocione të forta me interpretimin e tij.

revista.one/