Misteri/ Dje nuk u gjet në banesë, policia tha se ishte në komisariat, por ja kur u vetëdorëzua Alqi Bllako
April 1, 2022Detaje të reja për arrestimin e ish-deputetit të PS Alqi Bllako. Teksa Policia e Shtetit deklaroi mëngjesi ne sotëm se Bllako ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme, zbulohet se ai është vetëdorezuar rreth orës 3 të mëngjesit në drejtorinë e policisë së Tiranës.
Mbrëmjen e kaluar pasi GJKKO i caktoi masën e arrestit më burg, u raportua se policia kishte shkuar në banesën e Bllakos, në zonën e Tiranës së Re për ta arrestuar, por ish-deputeti nuk ka rezultuar në banesën e tij.
SPAK e akuzon Alqi Bllakon se në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori. Po ashtu SPAK arsyeton se ish-deputeti Bllako ka favorizuar kompaninë fituese të inceneratorit të Fierit dhe ka marrë si ryshfet shumën prej 14.9 mln lekësh në formën e pagesave që janë kaluar për llogari të babait të tij, Edmond Bllako.
Një tjetër fakt i përcjellë nga prokuroria është edhe një udhëtim që zoti Bllako ka bërë me Klodian Zoton njëri prej pronarëve të kompanisë që ka fituar inceneraotrin e Fierit nga Shqipëria në drejtim të Italisë (Torino) dhe anasjelltas. Sipas prokurorisë Alqi Bllako ka udhëtuar me Klodian Zoton në 16 prill të vitit 2019 dhe është rikthyer sërish në Rinas në 17 prill. revista.one/