“Mos shkoni me gomone”, trafikantët ofrojnë jahte për Angli, zbulohet çmimi “biletës”
August 14, 2022Një investigim i ‘Mail on Sunday’ ka zbuluar së fundmi se emigrantët shqiptarë kanë gjetur një rrugë tjetër për të shkuar në Angli, jo me kamion e gomone, por me jahte luksoze.
Duke u hequr si emigrant, një gazetar kontaktoi ‘bosët shqiptarë të krimit’,të cilët përdornin jahte luksoze për të kaluar emigrantë të paligjshëm përmes Kanalit Anglez.
Një trafikant i ofroi atij një vend në një jaht që largohej nga Belgjika këtë fundjavë për 17,000 £, ndërsa një tjetër tha se kishte vend në një jaht që nisej nga afër Calais për 16,000 £.
Trafikantët e qenieve njerëzore po përdorin rrjetin social TikTok për të ‘joshur’ emigrantët që të shkojnë në ishull me jahte luksoze dhe mos të rrezikojnë jetën me varka e gomone.
Detektivët në Holandë thonë se kanë pikasur trafikantët të cilët synojnë Britaninë me jahtet luksoze përgjatë një shtrirje prej më shumë se 100 miljesh të vijës bregdetare holandeze nga Vlissingen në jug deri në Den Helder në veri.
Shumica e pasagjerëve në anijet e përgjuara ishin shtetas shqiptarë, tha mbrëmë një forcë policore kombëtare holandeze.
Javën e shkuar janë identifikuar tre trafikantë, të cilët përdorin rrjetin social TikTok për të gjetur emigrant të cilët duan të shkojnë në Britani me jaht, duke kaluar nga porti i Francës, Belgjikës dhe Holandës.
Një nga trafikantët postoi foto të anijeve luksoze, ndërsa e reklamonte “rrugën e sigurt” në shqip ‘udhëtim në Angli çdo dy ditë’.
I pyetur nga gazetari që hiqej si emigrant, trafikanti i kërkoi 16,000 £, teksa i tha se kishte rrugë brenda katër ditësh. Trafikanti i ofroi gazetarit udhëtim të sigurt, duke i thënë “Ne nuk jemi në këtë për të shkatërruar jetë. Në jaht kemi 15 persona.’
Trafikanti tjetër që i kërkoi shumën prej 17,000 £ për rrugën në Britani, i tha gazetarit të udhëtonte për në Bruksel, pasi emigrantët do të mblidheshin dje.
Një zëdhënës i TikTok ka thënë se ka ndaluar llogaritë ku reklamohet hapur trafikimi i qenieve njerëzore.
Mail on Sunday shkruan në fund të artikullit se dyshohet që emigrantët shqiptarë të trafikuar në Britaninë e Madhe, janë të të detyruar të punojnë si ‘skllevër’ për kriminelët e organizuar.
revista.one/