“Mos u vish shumë shkurt”, Kiara Tito tregon kritikat që Luizi ia bën për veshjet

“Mos u vish shumë shkurt”, Kiara Tito tregon kritikat që Luizi ia bën për veshjet

July 25, 2025 0

Moderatorja e njohur shqiptare, Kiara Tito, ka ndarë disa detaje nga jeta e saj personale në emisionin veror “Pushime on Top”, ku nuk munguan as momentet plot humor.

E pyetur për stilin e saj të veshjes, Kiara tregoi se shpeshherë përballet me komente nga partneri i saj, këngëtari Luiz Ejlli, i cili nuk nguron ta kritikojë në mënyrë argëtuese.

“Luizi më kritikon shumë për veshjen – mos vish shumë të shkurta, thotë. Nuk e zbatoj kur më thotë ndërroje veshjen”, tha Kiara me një buzëqeshje. Megjithatë, ajo shtoi se ai e vlerëson gjithmonë për stilin dhe shpeshherë ndikojnë tek njëri-tjetri kur bëhet fjalë për modën.

“Përtej shakave, ai gjithmonë më vlerëson shumë për mënyrën se si vishem. Edhe jashtë ndërhyjmë te stili i veshjes. Tani më pak, sepse e ka fituar atë stilin”, u shpreh ajo.

Kiara foli edhe për periudhën e shtatzënisë, duke treguar se në atë kohë shpesh vishte rrobat e Luizit: “Gjatë shtatzënisë vishja bluzat e Luizit, se ai i ka XL”.

Ndërsa tani, jeta e saj e përditshme është bërë më e qetë dhe më e thjeshtë: “Tani vishem dhe fle me pizhame. Jam një grua shumë e mërzitshme”, tha ajo me ironi, duke treguar anën e saj të natyrshme dhe të çiltër që e karakterizon edhe jashtë ekranit.

Çifti Kiara dhe Luizi vijojnë të jenë një ndër dyshet më të dashura për publikun shqiptar, teksa fansat i ndjekin me shumë interes si në rrjetet sociale ashtu edhe në paraqitjet publike.

Moderatorja e njohur ka zbuluar se nuk shpenzon shumë në veshje, i merr me stil dhe jo të thjeshta. Ndërkohë duke qeshur tha ‘kam nevojë për në pallat brigadash me këpucë dhe me çanta’.

Pjesë nga intervista:

Kush të kritikon më shumë për veshjet?

Luizi më kritikon

Çfarë të thotë?

Mos vish shumë të shkurtra, e unë jam e vetmja që po e hap sfilatën me një fustan të shkurtër.

Ka patur ndonjë episod që të ka thënë Luizi ‘Kiara të lutëm ik ndërrohu, ktheu në shtëpi’?

Ka thënë por nuk është se e kam vënë në zbatim atë këshillë.

Po ndonjë postim që Luizi ka thënë hiqe nga “Instagram”-i se nuk bën ose ke marrë shumë komente nga djemtë?

Përtej shakave, ai më vlerëson shumë për mënyrën se si vishem, sepse i vë në zbatim këshillat e mia se vazhdojmë ne edhe jashtë me këshilla për veshjen.

Ti çfarë i thua për veshjet e tij?

Tani nuk është se i ndërhyj shumë se e ka marrë atë stilin e vet, po i them mos vish shumë ngjyra, se ai i ka fiksim bluzat ngjyra-ngjyra, mua më pëlqen më shumë me ngjyra neutrale ose e zezë. Por që vishet bukur.

Shifra më e çmendur që ke shpenzuar për një veshje?

Nuk është se shpenzoj shumë në veshje, mua më pëlqen të shpenzoj më shumë në gjëra që i përdor më afatgjatë, siç janë këpucët ose çantat. Për veshjet nuk shpenzoj, marr veshje normale, por me stil, jo të thjeshta.

Këpucët më të shtrenjta?

Fatmirësisht me profesionin që kemi na dhurojnë shumë këpucë. Është një zonjë që më ka dhuruar këto këpucët që kam veshur, nuk më pëlqen të them janë të shtrenjta, po janë disi ndryshe nga të tjerat.

Po në listën e dëshirave çfarë ke, çfarë do të blesh? Se Luizi po të sheh tani

Kam nevojë për një pallat brigadash me këpucë dhe me çanta.

Si ndihesh më seksi, me të brendshme apo me këmishën e Luizit?

Gjatë periudhës së shtatzënisë veshja vetëm bluzat e Luizit se i ka ‘extra large’ dhe ‘oversize’, e kam kaluar kështu shtatzëninë time. Tani fle me pizhame, jam shumë e mërzitshme si grua, me pizhame normale.

Në fakt je shumë modeste edhe në veshje e gjëra, nuk është se e ekzagjeron

Nuk më pëlqen të eksperimentoj shumë në veshje, kam gjetur stilin që më përshtatet më së shumti.

Kush të inspiron më shumë për veshjet e tua?

Nuk është se kam një person që më frymëzon për veshjen, por më pëlqen të ndjek trendet e fundit. Shoh shumë shpesh edhe influencueset e ndryshme të huaja, edhe shqiptare.

Ke ndonjë shqiptare që pëlqen në veçanti?

Ndonjë emër specifik nuk është se kam, se janë të gjitha të mira. Kanë fituar një lloj stili që më pëlqen shumë.

Trendi më i çuditshëm që nuk e honeps dot, që nuk e kupton?

Trendi i pantallonave me bel të ulët, të shkurtër. Sado të rikthehen në modë, unë nuk do ti vesh kurrë.

Të ka ndodhur ndonjëherë që të të këputet fustani, të prishet zinxhiri?

Po, në ‘Portokalli’. Kisha një fustan fantastik ngjyrë jeshil. Në moment të fundit para se të ngjiteshim në skenë, këputet zinxhiri.

revista.one/